| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Teherani dhe Islamabadi shqyrtojnë përpjekjet diplomatike për paqen ShBA-Iran
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së shefit të ushtrisë pakistaneze në Iran, njofton ministria e Jashtme iraniane.
Teherani dhe Islamabadi shqyrtojnë përpjekjet diplomatike për paqen ShBA-Iran
Teherani dhe Islamabadi shqyrtojnë përpjekjet diplomatike për paqen ShBA-Iran / AA

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, dhe shefi i ushtrisë së Pakistanit, feldmarshalli Asim Munir, diskutuan të premten përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes ShBA-së dhe Iranit.

Takimi u zhvillua pasi Munir mbërriti në Teheran, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme ndërmjetësuese të Pakistanit për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt pas sulmeve amerikane dhe izraelite.

Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, bisedimet vazhduan deri vonë gjatë natës. Palët diskutuan përpjekjet dhe nismat më të fundit diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për t’i dhënë fund luftës, “si dhe mënyrat për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Azisë Perëndimore”.

Munir është i përfshirë drejtpërdrejt në ndërmjetësimin mes Uashingtonit dhe Teheranit, me synimin për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit.

Pakistani siguroi një armëpushim më 8 prill dhe më pas priti bisedimet e nivelit më të lartë mes ShBA-së dhe Iranit që nga viti 1979, të zhvilluara më 11-12 prill.

ShBA-ja dhe Irani kanë negociuar propozime dhe kundërpropozime për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe për adresimin e shqetësimeve lidhur me programin bërthamor të Teheranit dhe kërkesën e tij për lehtësimin e sanksioneve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të premten se në bisedime është shënuar “njëfarë progresi”.

Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se ShBA-ja shtyu rifillimin e sulmeve ndaj Iranit pas kërkesave të liderëve të vendeve të Gjirit dhe se negociata serioze janë duke u zhvilluar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë