Rama: Shqipëria pritet të hapë grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në

Më 17 nëntor do të mbahet Konferenca e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ku do të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave: “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.

By
Rama: Shqipëria pritet të hapë grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në / Reuters

Shqipëria do ta hapë grupkapitullin e fundit të negociatave për antarësim në BE.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se javën e ardhshme, më 17 nëntor do të mbahet Konferenca e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ku do të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave: “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.

Sipas Ramës, “Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh, rekord absolut në procesin e integrimeve europiane”.

“Asgjë nuk na dal dot drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE. Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027”, theksoi kreu i qeverisë.

Edi Rama zhvilloi sot një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në vendin tonë, por edhe të ardhur nga kryeqytetet fqinje.

Takimi kishte në qendër bashkëbisedimin e përvitshëm pas daljes së Raportit të Progresit të BE për Shqipërinë.

Në progresraportin e vitit 2025 për Shqipërinë vlerësohet angazhimi i autoriteteve shqiptare në procesin e negociatave dhe përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE.

Raporti përmend ritmin “të paprecedentë” të përparimit, duke theksuar hapjen e 28 kapitujve brenda një viti, pas konferencave të njëpasnjëshme ndërqeveritare që kanë përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në progresraport thuhet se, pas konferencës së dytë ndërqeveritare të 15 tetorit 2024, e cila hapi negociatat e pranimit mbi grupkapitullin 1, “Themeloret”, u mblodhën katër Konferenca Ndërqeveritare që çuan në hapjen e negociatave mbi katër grupkapituj.