Izraeli po përgatitet për mundësinë e kryerjes së sulmeve të njëanshme ndaj Iranit, nëse lufta mes Uashingtonit dhe Teheranit përfundon, raportuan të shtunën mediat izraelite.
Sipas Kanalit 13 izraelit, Tel Avivi vazhdon ta mbajë në tavolinë mundësinë e sulmeve ndaj Iranit pa përfshirjen e ShBA-së.
Sipas raportimit, ushtria izraelite po vazhdon përgatitjet për sulme të mundshme të njëanshme, në një kohë kur ShBA-ja po kërkon një “rrugëdalje diplomatike” për t’i dhënë fund luftës me Iranin.
CNN kishte raportuar më herët se kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabeve të ShBA-së, gjenerali Dan Caine, gjatë javëve të fundit kishte shprehur shqetësime te zyrtarë të lartë në Uashington lidhur me zhvillimin e luftës.
Sipas CNN, Caine po kërkonte një “rrugëdalje” nga konflikti, duke argumentuar se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të krijojë rreziqe të reja dhe se do të ishte e vështirë për presidentin Donald Trump të arrinte objektivat e tij vetëm përmes sulmeve ajrore.
Caine, i cili raportohet se është takuar me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin JD Vance, thuhet se ka paralajmëruar për rreziqet që lidhen me opsionet ushtarake, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm. Ai gjithashtu ka argumentuar se objektivat e Trumpit ndaj Iranit do të ishte e vështirë të arriheshin vetëm përmes sulmeve ajrore.
























