Shtyhen seancat gjyqësore për çështjen ndaj Ilir Metës
Në seancën e GjKKO-së ishte planifikuar të vendosej nëse çështja ndaj ish-presidentit të Shqipërisë do të kalojë apo jo në gjykim, ndërsa në seancën e Gjykatës së Lartë të shqyrtohej kërkesa e Metës për ndryshimin e masës “arrest në burg”.
Seancat gjyqësore të planifikuara për sot për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, janë shtyrë.
Në seancën e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) ishte planifikuar të vendosej nëse çështja ndaj Metës do të kalojë apo jo në gjykim, ndërsa në seancën e Gjykatës së Lartë të shqyrtohej kërkesa e Metës për ndryshimin e masës “arrest në burg”.
GjKKO-ja konfirmoi për Anadolu se seanca është shtyrë për ditët në vazhdim dhe data për seancën e re nuk është caktuar ende. Sipas gjykatës, shtyrja është bërë për shkak se "trupa gjyqësore e GjKKO-së mori pjesë në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve".
Sipas njoftimit të publikuar në uebfaqen e Gjykatës së Lartë, seanca për çështjen ndaj Metës do të shqyrtohet më 16 tetor.
Gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar muajit e kaluar kërkesat e ish-presidenti Meta për lirimin nga paraburgimi apo për masë tjetër sigurie.
Çështja ndaj ish-presidentit Meta
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në ShBA" dhe aktualisht është në paraburgim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.