| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: Partneriteti me ShBA-në dhe NATO-n, prioritet afatgjatë i Kosovës
"Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t'u ofronte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut", tha Kurti.
Kurti: Partneriteti me ShBA-në dhe NATO-n, prioritet afatgjatë i Kosovës
Kurti: Partneriteti me SHBA-në dhe NATO-n, prioritet afatgjatë i Kosovës / َAA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimit me NATO-n, duke i cilësuar ato si prioritete afatgjata të politikës së jashtme të Kosovës.

Kurti në fjalën e tij në hapjen e edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj, foli për integrimin evropian, sigurinë ndërkombëtare dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Ai foli edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për synimet e vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në INTERPOL

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t'u ofronte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Kurti.

Sipas tij, anëtarësimi në INTERPOL do t'u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin me forcat policore në mbarë botën.

Kurti u ndal edhe te sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor ku tha se rajoni mbetet i ndjeshëm ndaj presioneve të jashtme që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin rajonal, përfshirë ndikimin e dëmshëm të huaj, dezinformimin dhe përpjekjet për të minuar institucionet demokratike.

Ai theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të institucioneve demokratike dhe thellimit të partneriteteve ndërkombëtare.

“Ruajtja e partneritetit të saj strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi i ngushtë me aleatët që ndajnë vlerat e saj dhe përkushtimin ndaj një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla mbeten prioritete afatgjata të politikës së jashtme të Kosovës”, tha Kurti.

Ai shtoi se partneriteti i Kosovës me NATO-n ka rëndësi të veçantë në këtë drejtim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë