Në Dubrovnik sot fillon Forumi i 19-të i Dubrovnikut, konferencë ndërkombëtare me titull "Epoka e multipolaritetit: Shumë drejtime, një e ardhme", e cila gjatë dy ditëve do të mbledhë zyrtarë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, komunitetit shkencor, ekonomisë dhe shoqërisë civile nga shumë vende të botës.
Edicioni i sivjetshëm i Forumit njëkohësisht shënon 20-vjetorin e themelimit të konferencës, e cila në vitin 2006 filloi me emrin "Croatia Summit".
Në fokus të diskutimeve janë ndryshimet në rendin global, siguria dhe mbrojtja, qëndrueshmëria energjetike, inteligjenca artificiale, lëndët e para kritike, ndërlidhja ekonomike, siguria detare si dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor, Afrikë dhe rajonin Azi-Paqësor.
Vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit në Mesdhe, në kontekstin e kryesimit të Kroacisë me grupin e BE-së MED9 dhe Nismën e Tre Detrave.
Organizatorët theksojnë se Forumi i sivjetshëm vë theksin te ndryshimet kryesore gjeopolitike dhe forcimi i sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar ndërsa panelet do të përfshijnë tema nga qëndrueshmëria energjetike dhe politika e migracionit deri te ndikimi i inteligjencës artificiale në diplomaci dhe shoqëri.
Si hyrje në programin kryesor po mbahet edhe Forumi i parë Rinor i Dubrovnikut me moton "Bridging Seas, Building Future", i cili ka mbledhur 30 ekspertë të rinj nga më shumë se 20 vende.
Në hapje të aktivitetit, pjesëmarrësit i përshëndetën ministri kroat i Shkencës dhe Arsimit, Radovan Fuchs dhe sekretari shtetëror Frano Matushiq, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në zgjidhjen e sfidave globale dhe formësimin e politikave të ardhshme ndërkombëtare.
Gjatë programit pesëditor, pjesëmarrësit e Forumit Rinor do të prezantojnë propozime dhe rekomandime për t'iu përgjigjur sfidave bashkëkohore ndërkombëtare.
Forumi i Dubrovnikut edhe këtë vit konfirmon rolin e Kroacisë si mikpritëse e njërit prej takimeve më të rëndësishme diplomatike ndërkombëtare në rajon, duke mbledhur zyrtarë dhe ekspertë botërorë rreth çështjeve me rëndësi globale.





















