Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez uroi të mërkurën vendimin e prokurorisë publike për të hetuar shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë në TikTok, duke e cilësuar atë si një “lajm të shkëlqyer” dhe duke deklaruar se “pandëshkueshmëria në rrjetet sociale ka marrë fund”.
“Lajm i shkëlqyer: prokurorët sapo kanë hapur një hetim mbi shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë në TikTok”, tha Sanchez në një deklaratë.
“Ne e kemi paralajmëruar këtë prej kohësh; pandëshkueshmëria në rrjetet sociale ka marrë fund. Asnjë platformë nuk është mbi ligjin. Aq më pak kur bëhet fjalë për të drejtat e bijve dhe bijave tona”, shtoi ai.
Hetimi do të shqyrtojë shkeljet e mundshme që lidhen me krijimin dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve në këtë platformë.
Ky veprim pasoi një kërkesë nga portali spanjoll i lajmeve dhe verifikimit të fakteve, Maldita.es, i cili dokumentoi më shumë se 1 mijë postime me përmbajtje abuzimi seksual me fëmijë në TikTok gjatë një hetimi 35-ditor.
Sipas Maldita.es, hetimi identifikoi 1.183 postime që përmbanin materiale të drejtpërdrejta abuzimi seksual me fëmijë, të cilat morën 48 milionë shikime.
Gjithashtu, u dokumentuan më shumë se 20.000 profile abuzuesish të mundshëm, përfshirë mbi 7.000 profile në gjuhën spanjolle.
Nga 50 videot e raportuara në TikTok prej portalit të lajmeve, platforma hoqi vetëm pesë prej tyre.
Sanchez deklaroi gjithashtu se qeveria është e gatshme të pezullojë TikTok-un në Spanjë nëse është e nevojshme, duke theksuar se të drejtat e fëmijëve kanë përparësi.
“Nëse na duhet të pezullojmë një rrjet social, do ta bëjmë, sepse të drejtat e fëmijëve vijnë të parat”, tha ai të hënën në një intervistë me Javier Ruiz në televizionin La Septima.
Ministrja spanjolle për Rininë dhe Fëmijët, Sira Rego, i cilësoi gjetjet e Maldita.es si “jashtëzakonisht të rënda”, ndërsa Sekretari i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ruben Perez Correa, deklaroi se “nëse një platformë lejon që fëmijët të abuzohen në hapësirat e saj, problemi nuk është vetëm abuzuesi”.























