Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje qeverisë izraelite të tërheqë tenderin për ndërtimin e më shumë se 1.200 njësive të banimit në kuadër të projektit të vendbanimeve E1, duke paralajmëruar se zbatimi i tij do ta minonte perspektivën e zgjidhjes me dy shtete.
Duke folur në konferencën e përditshme për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, tha se projekti do ta ndante Bregun Perëndimor të pushtuar dhe do ta izolonte Kudsin Lindor (Jerusalemin Lindor), duke e dobësuar më tej mundësinë e krijimit të një shteti të ardhshëm palestinez.
“Qeveria izraelite ka shpallur një tender për ndërtimin e më shumë se 1.200 njësive të banimit si pjesë e projektit E1, gjë që minon perspektivën e zgjidhjes me dy shtete”, tha El Anouni.
“Zbatimi i projektit E1 do ta ndante Bregun Perëndimor në dy pjesë. Ai do ta izolonte Kudsin Lindor dhe do ta dobësonte më tej mundësinë e realizimit të zgjidhjes me dy shtete”, shtoi ai.
El Anouni tha se projekti po zhvillohet në një kohë kur paqëndrueshmëria në Bregun Perëndimor është në rritje dhe dhuna nga kolonët izraelitë ka arritur nivele rekord.
“Kjo nuk po ndodh në mënyrë të izoluar. Është pjesë e një situate ku po shohim rritje të paqëndrueshmërisë në Bregun Perëndimor dhe nivele rekord të dhunës nga kolonët e dhunshëm”, deklaroi ai.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Vendbanimet e kolonëve në Bregun Perëndimor, përfshirë zonën E1, janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse i kemi bërë thirrje qeverisë izraelite ta tërheqë tenderin për projektin E1 dhe të gjitha projektet për zgjerimin e vendbanimeve, si dhe të sigurojë që përgjegjësit për dhunën në këtë zonë të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.
Duke e riafirmuar qëndrimin e BE-së, El Anouni theksoi se blloku mbetet i përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete, bazuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë mbështetja e zgjidhjes me dy shtete. Ne bëjmë thirrje për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në një plan me dy shtete, në përputhje me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me dy shtete demokratike, Izraelin dhe Palestinën, që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri, brenda kufijve të njohur”, tha ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Bregun Perëndimor, El Anouni tha se BE-ja dënon terrorizmin dhe dhunën ndaj civilëve, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e lirisë së lëvizjes.
“BE-ja dënon të gjitha aktet e terrorizmit dhe dhunës ndaj civilëve. Kjo është shumë e qartë”, deklaroi ai.
Ushtria izraelite pretendoi të premten se dy ushtarë ishin vrarë dhe tre të tjerë ishin plagosur rëndë gjatë një sulmi me armë zjarri në qytetin e Hebronit.
Deklarata e ushtrisë erdhi disa orë pasi dy palestinezë u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat izraelite, pas pretendimeve se kishin hapur zjarr ndaj kolonëve izraelitë në Hebron, duke plagosur pesë persona.
Sipas ushtrisë izraelite, tre ushtarë të tjerë pësuan gjithashtu plagë të shkallës së mesme.
Pas sulmit të raportuar me armë zjarri, ushtria izraelite njoftoi mbylljen e plotë të Hebronit dhe disa qyteteve përreth.
Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, ka përjetuar një përshkallëzim të operacioneve ushtarake izraelite dhe sulmeve të kolonëve që kur Izraeli nisi luftën e tij gjenocidale në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.
Sulmet kanë përfshirë vrasjen dhe arrestimin e palestinezëve, shembjen e shtëpive dhe strukturave të tjera, djegien e xhamive dhe automjeteve, shkatërrimin e tokave bujqësore, pengimin e fermerëve për të hyrë në tokat e tyre dhe zhvendosjen e komuniteteve palestineze, krahas zgjerimit të paligjshëm të vendbanimeve izraelite.




























