| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Siria shfuqizon “Gjykatën e Terrorizmit” të epokës së Asadit
Projektligji synon rikthimin e të drejtave në mbi 90 mijë raste.
Siria shfuqizon “Gjykatën e Terrorizmit” të epokës së Asadit
Siria shfuqizon “Gjykatën e Terrorizmit” të epokës së Asadit

Asambleja Popullore e Sirisë miratoi njëzëri të enjten një projektligj për shfuqizimin e “Gjykatës së Terrorizmit” të krijuar gjatë regjimit të Asadit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Nisma synon të zhbëjë pasojat e vendimeve të marra në më shumë se 90 mijë çështje të trajtuara nga kjo gjykatë, si dhe t'u rikthejë personave të prekur pronat e konfiskuara dhe të drejta të tjera.

Gjykata u krijua me Ligjin nr. 22 të vitit 2012, gjatë sundimit të Bashar al-Asadit, dhe kishte juridiksion mbi çështje që përfshinin si civilë, ashtu edhe personel ushtarak.

Sipas SANA-s, kuadri i jashtëzakonshëm ligjor nën të cilin funksiononte gjykata kishte nxitur kritika lidhur me garancitë për një proces të drejtë gjyqësor dhe të drejtën për mbrojtje.

Kreu i Komisionit Kushtetues dhe Legjislativ të parlamentit, Abdul Nasser Houshan, tha se projektligji shfuqizon ligjin që krijoi gjykatën dhe i ngarkon Këshillit të Lartë Gjyqësor përgjegjësinë për trajtimin e pasojave të vendimeve të saj.

Do të krijohen komisione të posaçme gjyqësore për të zhbërë efektet e vendimeve të mëparshme, përfshirë kthimin e pronave të konfiskuara. Çështjet ende të pazgjidhura do të mbyllen ose do t'u transferohen autoriteteve gjyqësore kompetente.

Sipas të dhënave të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), të cituara nga SANA, të paktën 90.560 çështje janë paraqitur para kësaj gjykate.

Organizata dokumentoi gjithashtu të paktën 40.602 urdhra për sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave gjatë periudhës 2012-2024, të cilat prekën 320 mijë persona në kuadër të sistemit më të gjerë të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të vendosur nga regjimi i Asadit.

Sipas SNHR-së, në disa raste gjykata mbështetej në raporte të sigurisë dhe rrëfime të marra nën torturë, ndërsa vendoste kufizime ndaj së drejtës për mbrojtje dhe i mungonte transparenca në vendimmarrje.

Projektligji gjithashtu i përjashton personat që rimarrin pronat e konfiskuara nga taksat, tarifat dhe kostot e tjera që lidhen me rikthimin e pronësisë.

Kjo dispozitë përfshin pronat e konfiskuara me vendime të “Gjykatës së Terrorizmit”, Gjykatave Ushtarake të Terrenit dhe gjykatave ushtarake nga 15 marsi 2011 deri më 8 dhjetor 2024.

Regjimi i Asadit i shfuqizoi Gjykatat Ushtarake të Terrenit në vitin 2023 dhe çështjet e pazgjidhura ia kaloi drejtësisë ushtarake.

Pas rënies së Asadit në dhjetor 2024, autoritetet nisën shqyrtimin e trashëgimisë së “Gjykatës së Terrorizmit”.

Në vitin 2025, Ministria e Drejtësisë dërgoi për hetim gjyqtarët që kishin shërbyer në këtë gjykatë dhe ngriti një komision të posaçëm gjyqësor për të shqyrtuar vendimet dhe procedurat e saj, si dhe të organeve të tjera të jashtëzakonshme gjyqësore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Eksploro
Kina dhe ShBA-ja zhvillojnë diskutime mbi situatën në Lindjen e Mesme
Siria koordinon me Gjermaninë dhe Belgjikën mekanizmat për kthimin e refugjatëve
Liderët e Jordanisë, Francës dhe Libanit takohen në Paris për mbështetjen e ushtrisë libaneze
Minoriteti turk i Trakisë Perëndimore ngre në Këshillin e OKB-së shqetësimet për të drejtat fetare
Mbetjet e dronit të Huthive të rrëzuar në Arabinë Saudite lënë një të vrarë dhe dy të plagosur
Dy gra ngrenë padi kundër pasurisë së Jeffrey Epstein
Kryediplomati italian bën thirrje për veprim evropian kundër kolonëve izraelitë
OKB-ja: Nuk ka paqe në Lindjen e Mesme pa zgjidhjen me dy shtete
Grupi i së Majtës në PE akuzon von der Leyen për “standarde të dyfishta” ndaj Ukrainës dhe Izraelit
The Washington Post: ShBA-ja do t’i dërgojë Izraelit paketë armësh prej 2,8 miliardë dollarësh
Kallas i kërkon Evropës t’i imponojë Rusisë kosto më të madhe për sulmet hibride
Italia zgjat kontrollet kufitare me Spanjën edhe për 15 ditë
NATO-ja: Avionët luftarakë rrëzuan një dron mbi hapësirën ajrore të Lituanisë
ShBA-ja konfirmon për herë të parë se ka vendosur armë hapësinore
Egjipti dhe Greqia nisin stërvitje të përbashkët ushtarake në Mesdhe
OKB-ja kërkon masa urgjente ndaj rreziqeve në rritje nga inteligjenca artificiale
Fidan diskuton sulmet rajonale dhe negociatat me homologët e Katarit dhe Arabisë Saudite
Trump: Rusia dhe Ukraina dakordohen t’i ndalojnë sulmet ndaj objekteve energjetike të njëra-tjetrës
B’Tselem: Izraeli synon të zhdukë praninë palestineze në Bregun Perëndimor
Rutte takon kryeministrin slloven në Bruksel: "Sllovenia, anëtare e besueshme e NATO-s"