Shqipëria përfshihet nga moti i keq, përmbytje në disa zona
Sipas një njoftimi nga Instituti i Gjeoshkencave, sot dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin.
Reshjet e dendura të shiut në orët e fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të tjera në disa zona të Shqipërisë.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se në Qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje dëmtuan një segment rrugor, ndërkohë u evakuuan disa persona.
Ndërkohë, probleme nga moti i keq në orët e fundit raportohen edhe në bashkitë Lezhë, Kurbin, Fushë-Krujë, Mat dhe Durrës, me përmbytje në disabanesa dhe sipërfaqe të tokës bujqësore.
Në lidhje me situatën nga moti i keq ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se ekipet e emergjencave civile janë në veprim në 12-të qarqet e vendit, sipas tij për koordinimin e punës në përballimin e pasojave të reshjeve intensive të orëve të fundit.
"Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbeten të angazhuara, së bashku me të gjitha strukturat lokale, qendrore dhe bashkitë, për normalizimin e situatës, sigurinë e banorëve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm", ka deklaruar Vengu.
Për situatën e shkaktuar nga moti i keq në vend ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, ku në një njoftim thekson se policia ka shtuar prezencën e shërbimeve në rrugë dhe nëzonat e përfshira nga moti i keq.
"Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi, që ka përfshirë disa zona të vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e shërbimeve policore dhe apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme, si dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë, me automjete, motomjete apo me këmbë", thuhet në një njoftim të policisë.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë javës priten reshje shiu me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në zona të caktuara me reshje dëbore. Instituti i Gjeoshkencave të Shqipërisë (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) kanë bërë të ditur se në orët në vazhdim reshjet do të shtohen në të gjithë territorin e vendit.
Sipas një njoftimi nga Instituti i Gjeoshkencave, sot dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin.