| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Begaj: NATO-ja është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar
Duke u ndalur te roli i Shqipërisë, Presidenti i Shqipërisë thekson se vendi ynë prej 17 vitesh është anëtare e denjë e Aleancës, duke kontribuar aktivisht në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Begaj: NATO-ja është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar
Begaj: NATO-ja është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar / AA
3 orë më parë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar NATO-n me rastin e 77-vjetorit të krijimit të Aleancës, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Begaj e cilëson NATO-n si një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, të ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët.

“Prej 77 vitesh NATO është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, një Aleancë e ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjen e përbashkët”, shprehet Presidenti Begaj në mesazhin e tij.

Ai nënvizon se NATO-ja vijon të mbetet simbol i unitetit dhe përgjegjësisë kolektive, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe duke forcuar sigurinë euroatlantike.

Duke u ndalur te roli i Shqipërisë, Presidenti thekson se vendi ynë prej 17 vitesh është anëtare e denjë e Aleancës, duke kontribuar aktivisht në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Rritja e buxhetit të mbrojtjes, si dhe kontributi aktiv në misione e operacione të NATO-s janë dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta”, thekson ai.

Presidenti Begaj riafirmon angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar një partner i besueshëm dhe i palëkundur i NATO-s, në shërbim të stabilitetit dhe sigurisë së përbashkët.

Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009 ndërkohë mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasburg/Kehl më 4 prill të vitit 2009

Samiti i NATO-s për vitin 2027 do të mbahet në Tiranë, pas një vendimi unanim të Aleatëve në takimin në Hagë në vitin 2025.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë