Në Bosnjë e Hercegovinë nisi të dielën votimi në zgjedhjet e përgjithshme, ku më shumë se 3,4 milionë votues të regjistruar do t'i zgjedhin drejtuesit e rinj dhe përfaqësuesit në disa nivele të qeverisjes.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 me orën lokale dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (CIK).
Gjithsej 3.414.364 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet që mbahen çdo katër vjet.
Votuesit do të zgjedhin anëtarët boshnjak, kroat dhe serb të Presidencës treanëtarëshe të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare në nivel shtetëror.
Ata do të zgjedhin gjithashtu deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, një prej dy entiteteve të vendit, si dhe deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska.
Votuesit do të zgjedhin gjithashtu presidentin dhe nënpresidentët e Republikës Srpska, si dhe anëtarët e 10 kuvendeve kantonale në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës.
Në total do të zgjidhen 518 zyrtarë.
Bosnja e Hercegovina ka një sistem politik kompleks, të krijuar mbi bazën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995.
Vendi përbëhet nga Federata e Bosnjës e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe Distrikti autonom i Bërçkos.
10 kandidatë garojnë për Presidencën treanëtarëshe
Dhjetë kandidatë po garojnë për tri vendet në Presidencë.
Votuesit në Federatë mund të votojnë për anëtarin boshnjak ose kroat të Presidencës, ndërsa votuesit në Republikën Sërpska zgjedhin anëtarin serb.
Presidenti aktual i Presidencës, Denis Beqiroviq, si dhe Bakir Izetbegoviq, Semir Efendiq dhe Fahrudin Radonqiq, garojnë për vendin e anëtarit boshnjak.
Darijana Filipoviq, Zdenko Luqiq dhe Sllaven Kovaqeviq garojnë për vendin e anëtarit kroat, ndërsa Zhelka Cvijanoviq, Marinko Bozoviq dhe Nebojsha Vukanoviq garojnë për vendin e anëtarit serb.
Dymbëdhjetë kandidatë garojnë gjithashtu për postin e presidentit të Republikës Sërpska.
CIK miratoi pjesëmarrjen e 75 partive politike, 29 koalicioneve dhe katër kandidatëve të pavarur.
Në të gjitha nivelet e qeverisjes janë regjistruar më shumë se 7 mijë kandidatura.
Teknologji e re zgjedhore përdoret për herë të parë në gjithë vendin
Këto zgjedhje shënojnë gjithashtu përdorimin për herë të parë në shkallë kombëtare të teknologjive të reja, të projektuara për të përmirësuar identifikimin e votuesve, numërimin e votave dhe transmetimin e rezultateve.
Verifikimi biometrik i votuesve, skanerët e fletëvotimeve dhe sistemet e video-mbikëqyrjes po përdoren në rreth 4.500 qendra votimi.
Pas verifikimit të identitetit, votuesve do t’u kontrollohen edhe shenjat e gishtërinjve. Votimi vazhdon të kryhet me fletëvotime në letër, të cilat do të skanohen përpara se të hidhen në kuti.
Të dhënat nga fletëvotimet e skanuara do t’i transmetohen drejtpërdrejt CIK-ut, duke mundësuar shpalljen e rezultateve paraprake dhe jo të plota rreth orës 20:00, më herët se në zgjedhjet e mëparshme.
Fletëvotimet do të numërohen gjithashtu në mënyrë manuale.
Komisioni zgjedhor ka bërë të ditur se do të kryhen kontrolle shtesë nëse ka mospërputhje të konsiderueshme mes rezultateve të skanuara dhe numërimit manual. Nëse mospërputhja vazhdon, rezultati i numërimit manual do të konsiderohet zyrtar.
Votimi jashtë vendit
Në zgjedhje po marrin pjesë edhe shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës që jetojnë jashtë vendit.
Gjithsej 48.078 votues janë regjistruar për të votuar me postë, një nga nivelet më të ulëta të regjistrimit të diasporës në ciklet e fundit zgjedhore.
Votimi po zhvillohet gjithashtu në 20 përfaqësi diplomatike dhe konsullore të Bosnjë e Hercegovinës në 13 vende, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Zvicrën, Belgjikën, Danimarkën, Suedinë, Holandën, Norvegjinë, ShBA-në, Katarin dhe Jordaninë.
Numri i votuesve të regjistruar është pak më i lartë se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022, kur në listat zgjedhore ishin 3,37 milionë persona.
Në zgjedhjet e vitit 2022, Beqiroviq u zgjodh anëtar boshnjak i Presidencës, Zhelko Komshiq anëtar kroat dhe Cvijanoviq anëtare serbe.
Bosnja e Hercegovina shpalli pavarësinë në vitin 1992, ndërsa zgjedhjet e para pas luftës u mbajtën në shtator të vitit 1996.


























