| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Katari mbështet përpjekjet e Pakistanit për paqe mes SHBA-së dhe Iranit
Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani ka shprehur mbështetjen “e plotë” të Dohas për përpjekjet e Islamabadit.
Katari mbështet përpjekjet e Pakistanit për paqe mes SHBA-së dhe Iranit
Katari mbështet përpjekjet e Pakistanit për paqe mes SHBA-së dhe Iranit / TRT Balkan

Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani u ka bërë thirrje sot të gjitha palëve që t’u përgjigjen përpjekjeve të ndërmjetësimit të udhëhequra nga Pakistani për t’i dhënë fund konfliktit ShBA-Iran, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij pakistanez Shehbaz Sharif, tha Ministria e Jashtme e Katarit.

Gjatë bisedës, Sheikh Mohammed ka theksuar “nevojën që të gjitha palët t’u përgjigjen këtyre përpjekjeve për të krijuar kushtet e duhura për përparim në negociata, duke çuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që sjell paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në deklaratën e ministrisë në platformën sociale amerikane X.

Ai gjithashtu ka shprehur mbështetjen “e plotë” të Dohas për përpjekjet e Islamabadit, sipas ministrisë.

“Këto përpjekje kontribuuan në arritjen e një armëpushimi” mes Uashingtonit dhe Teheranit, ka theksuar ai gjatë telefonatës.

Sheikh Mohammed dhe Sharif gjithashtu kanë shqyrtuar marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për t’i zhvilluar më tej, shtoi ministria.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani ndaj Izraelit dhe aleatëve të ShBA-së në Gjirin Persik, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga Donald Trump pa një afat të caktuar, duke hapur rrugën për diplomaci drejt një zgjidhjeje të përhershme të konfliktit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë