Katari u zotua të martën se shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu "nuk do të mbeten pa u ndëshkuar".
Të martën, Netanyahu tha se sulmi izraelit i javës së kaluar që vrau pesë anëtarë të Hamasit në Doha ishte një "mesazh", duke pretenduar se sulmi nuk ka dështuar.
"Jemi mësuar që kryeministri izraelit të përpiqet të shmangë dhe të justifikojë dështimet e tij pas çdo pengese që pëson për shkak të politikave të tij të pamatura", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha.
"Gjithashtu duam t'i dërgojmë një mesazh: Shkeljet e ligjit ndërkombëtar nuk do të mbeten pa u ndëshkuar", tha ai.
Lidhur me përpjekjet e ndërmjetësimit të Katarit për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza, Al-Ansari tha se kjo "nuk duket realiste pasi kryeministri izraelit dëshiron të vrasë të gjithë ata që negociojnë me të dhe të bombardojë shtetin ndërmjetës".
"Katari aktualisht është plotësisht i përqendruar në mbrojtjen e sovranitetit të tij kombëtar, duke iu përgjigjur sulmit të pabesë izraelit kundër tij, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që ai të mos përsëritet dhe duke i kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës", theksoi Al-Ansari.
"Të gjitha konsideratat e tjera politike tani janë dytësore në dritën e situatës me të cilën po përballemi sot", shtoi ai.
Katari, së bashku me Egjiptin dhe ShBA-në, ka ndërmjetësuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së Izraelit kundër Rripit të Gazës, e cila ka vrarë pothuajse 65 mijë palestinezë që nga tetori i vitit 2023.