Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Danimarka kanë bërë thirrje për qasje “më gjithëpërfshirëse dhe sistematike” për ta luftuar migracionin e paligjshëm dhe aktivitetet kriminale që e lehtësojnë atë.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre për ta ruajtur uljen e migracionit të paligjshëm drejt Evropës dhe brenda saj, duke i pranuar sfidat e përbashkëta që ai paraqet.
“Duke u mbështetur në prioritetet e përcaktuara në Jerevan (Armeni), udhëheqësit e theksuan nevojën për të ndërmarrë një qasje më gjithëpërfshirëse, sistematike dhe që e përfshin gjithë itinerarin, për ta luftuar migracionin e paligjshëm dhe kriminalitetin që e lehtëson atë”, thuhet në deklaratë.
Deklarata, e miratuar gjithashtu nga disa vende të tjera, u publikua pas samitit të së enjtes të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.
Udhëheqësit theksuan rëndësinë e gatishmërisë dhe reagimeve efektive për të ruajtur integritetin e kufijve, për të luftuar dezinformimin, për ta nxitur inovacionin dhe për ta forcuar bashkëpunimin përgjatë rrugëve të migracionit.
Ata e theksuan nevojën për procedura efektive të kthimit dhe ripranimit, shkëmbim më të madh të informacionit ndërkufitar dhe respektimin e konventave ndërkombëtare si gur themeli i mbrojtjes.
“Udhëheqësit e riafirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim ndërkombëtar në këto çështje, përfshirë përmes vazhdimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës”, thuhet në deklaratë.























