Türkiye dhe Indonezia ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në media, komunikimet strategjike dhe diplomacinë publike gjatë një tryeze të nivelit të lartë në Xhakarta, tha të premten Ambasada Turke.
Takimi me dyer të mbyllura, i mbajtur të martën, mblodhi së bashku zyrtarë të lartë dhe drejtues të medias nga të dy vendet për t'i përkthyer marrëveshjet dypalëshe në projekte praktike të përbashkëta.
Delegacioni turk kryesohej nga ambasadori Talip Kuçukcan, ndërsa Indonezia u përfaqësua në nivelin e kryekëshilltarit presidencial për komunikim.
Bisedimet u ndërtuan mbi memorandumet e nënshkruara në vitin 2025 nën kujdesin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit indonezian Prabowo Subianto.
Marrëveshjet vendosën bashkëpunim midis Anadolu dhe agjencisë së lajmeve ANTARA të Indonezisë, si dhe ndërmjet transmetuesit turk TRT dhe transmetuesve indonezianë TVRI dhe RRI.
Të dyja palët ranë dakord të zhvillojnë mekanizma të përbashkët për ta kundërshtuar dezinformimin, për të forcuar koordinimin në komunikimet e krizave dhe për të hartuar projekte të diplomacisë publike të fokusuara në trashëgiminë kulturore dhe gastrodiplomaci me mbetje zero.
Ata ranë gjithashtu dakord të zgjerojnë shkëmbimin e përmbajtjes dhe ekspertizës, të organizojnë programe të rregullta trajnimi për profesionistët e medias dhe të lehtësojnë transferimin e teknologjive të avancuara mediatike.
Ambasada tha se përpjekjet vijuese janë duke u zhvilluar për t'i zbatuar projektet e dakorduara në takim.






















