Kopje të Kuranit u shqyen në një xhami në Francë, mes rritjes së urrejtjes kundër myslimanëve
Qendra kulturore turke u shënjestrua gjithashtu në një tjetër sulm.
Këshilli Francez i Fesë Islame (CFCM) ka njoftuar se kopje të Kuranit janë shqyer dhe hedhur pasi një person u fut me forcë në një xhami në Francën jug-qendrore.
“Myslimanët në Francë janë thellësisht të tronditur dhe të lënduar nga përdhosja e kopjeve të Kuranit, të cilat u shqyen dhe u hodhën në tokë nga individë që hynë në një xhami në mes të ditës në Le Puy-en-Velay (departamenti Haute-Loire),” shkroi të dielën Këshilli Francez i Fesë Islame në X.
Duke theksuar se nuk ka pasur të lënduar, grupi paralajmëroi për rrezikun e shtimit të këtyre akteve në një “klimë toksike” të ushqyer së fundmi nga sondazhe, raporte dhe propozime “të njëanshme” që i stigmatizojnë myslimanët.
“Kjo përdhosje, e cila simbolikisht e shënjestroi librin e shenjtë të myslimanëve brenda një vendi adhurimi, përbën një akt serioz islamofobik që pasqyron një urrejtje që nuk duhet nënvlerësuar,” shtoi Këshilli i Fesë Islame.
‘Prishja e kësaj atmosfere qetësie’
Të mërkurën, Qendra Kulturore Montreal-la-Cluse, e lidhur me organizatën turko-myslimane DITIB (Bashkimi Turko-Islam për Çështjet Fetare), u shënjestrua gjithashtu në një sulm.
“Një plumb, me sa duket nga një armë zjarri, u gjet në kutinë postare të shoqatës sonë. Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm që e synon komunitetin turk të Montreal-la-Cluse dhe praktikën e bashkëjetesës në harmoni,” shkroi Shoqata në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Ajo theksoi se sulmi e synonte “minimin e praktikës së bashkëjetesës dhe prishjen e kësaj atmosfere qetësie”.
“Si shoqatë, do t’i ndërmarrim të gjitha masat juridike të nevojshme dhe do ta ndjekim këtë çështje me seriozitetin më të madh,” shtohet në deklaratë.