Kremlini: Grenlanda është territor i Mbretërisë së Danimarkës
Rusia po monitoron situatën rreth Grenlandës, thotë zëdhënësi i Kremlinit, duke shtuar se Moska e sheh situatën rreth ishullit si “shumë të diskutueshme”.
Kremlini të premten e njohu statusin ligjor të Grenlandës si pjesë të Danimarkës, duke përshkruar gjithashtu situatën e fundit të ishullit si “shumë të diskutueshme”.
“Ne veprojmë nga kuptimi se Grenlanda është një territor i Mbretërisë së Danimarkës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për gazetarët gjatë një konferencë për shtyp, duke shtuar se Moska po monitoron situatën rreth ishullit.
Ai theksoi se janë bërë deklarata nga Danimarka dhe Grenlanda që mohojnë çdo qëllim për ta shitur territorin tek dikush, ndërkohë që gjithashtu janë dëgjuar deklarata nga Uashingtoni për një “ofertë monetare për të blerë Grenlandën në një formë apo tjetër.”
Peskov përshkroi gjithashtu situatën rreth Grenlandës si “të pazakontë” ose madje “jashtëzakonisht të veçantë nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare.”
Grenlanda ka tërhequr interesin e ShBA-së për shkak të vendndodhjes strategjike dhe burimeve minerale, si dhe për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e aktivitetit rus dhe kinez, sipas Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka premtuar disa herë se do ta përvetësojë ishullin, pa përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak.
Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar çdo propozim për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.
Të enjten, ministria e Jashtme e Rusisë tha se do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse në Arktik si përgjigje ndaj kërcënimeve të lidhura me situatën rreth Grenlandës, duke shtuar se referencat për “aktivitetin rus dhe kinez” rreth ishullit si shkak për tensionet aktuale janë “të papranueshme.”