Rusia të mërkurën thirri të ngarkuarën me punë të Letonisë, Ramona Krasovska, dhe i dorëzoi një protestë të fortë lidhur me kërkesat e Letonisë për shkarkimin e të gjithë punonjësve të departamentit të sigurimeve shoqërore në kuadër të sektorit konsullor të Ambasadës së Rusisë në Riga.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se kjo masë e rrezikon sigurimin e pensioneve dhe përfitimeve të sigurimeve shoqërore për afro 6.000 pensionistë rusë dhe familjarët e tyre që jetojnë në Letoni.
“Veprimet e autoriteteve letoneze bien ndesh me detyrimet e vendit sipas marrëveshjes ndërqeveritare ruso-letoneze të vitit 1994 për sigurimet shoqërore të pensionistëve ushtarakë rusë dhe familjarëve të tyre”, theksoi ministria në një deklaratë.
Ministria tha se pala ruse i ka përmbushur gjithmonë plotësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme detyrimet e saj ndaj pensionistëve ushtarakë rusë dhe familjarëve të tyre që jetojnë në Letoni.
Ajo shtoi se autoritetet letoneze mbajnë përgjegjësi të plotë për “krizën e krijuar artificialisht” lidhur me pagesat e pensioneve ushtarake.
Ministria i bëri thirrje Letonisë që t’i përmbahet rreptësisht marrëveshjes ndërqeveritare, ndërsa përfaqësueses letoneze i dorëzoi notë diplomatike.


























