Shqipëria ka mirëpritur armëpushimin e shpallur 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit, ka njoftuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në një reagim të publikuar nga Ministria në rrjetet sociale, thuhet se e mirëpresin armëpushimin e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump "si një hap konstruktiv dhe i domosdoshëm drejt de-përshkallëzimit dhe parandalimit të humbjeve të mëtejshme të jetës".
"Ndërsa bëjmë thirrje për respektimin e plotë të armëpushimit nga të gjitha palët. Nënvizojmë se Hezbollahu duhet të ndërpresë të gjitha veprimet kundër Izraelit dhe të veprojë në përputhje me vendimet dhe autoritetin e Qeverisë së Libanit.
Shpresojmë që ky zhvillim të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog kuptimplotë midis Izraelit dhe Libanit, duke hapur rrugën për një de-përshkallëzim më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës", thekson Ministria.
Gjithashtu thuhet se Shqipëria inkurajon të gjitha palët dhe partnerët ndërkombëtarë që të shfrytëzojnë këtë moment dhe të punojnë në mënyrë të koordinuar “drejt një paqeje të sigurt dhe të qëndrueshme në rajon”.
Të enjten, Trump njoftoi se Izraeli dhe Libani do të fillojnë një armëpushim 10-ditor. Njoftimi pasoi bisedimet e ndërmjetësuara nga ShBA-ja midis delegacioneve libaneze dhe izraelite që u zhvilluan në Departamentin amerikan të Shtetit.






















