| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
OKB-ja paralajmëron për "rreziqe të mëdha për shëndetin publik" në Gaza
"Prania e përhapur e brejtësve dhe parazitëve të jashtëm është raportuar në 83 për qind të vendeve të zhvendosjes të vlerësuara në fillim të këtij muaji ", tha zëdhënësi i OKB-së.
OKB-ja paralajmëron për "rreziqe të mëdha për shëndetin publik" në Gaza
OKB-ja paralajmëron për "rreziqe të mëdha për shëndetin publik" në Gaza/ AFP

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të mërkurën se civilët në Rripin e Gazës po përballen me "rreziqe të mëdha për shëndetin publik", ndërsa prania e brejtësve dhe parazitëve të jashtëm është raportuar në 83 për qind të vendeve të strehimit të personave të zhvendosur, të vlerësuara më herët gjatë këtij muaji.

Duke e cituar Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, deklaroi në një konferencë për media se "civilët në Gaza po përballen me rreziqe të mëdha për shëndetin publik, të cilat i shtohen pasigurisë dhe zhvendosjes."

"Prania e përhapur e brejtësve dhe parazitëve të jashtëm është raportuar në 83 për qind të vendeve të zhvendosjes të vlerësuara në fillim të këtij muaji. Kjo shoqërohet me ujëra të zeza në rrugë, ujë të ndenjur dhe kushte të dobëta higjieno-sanitare", tha ai, duke shtuar se ekipet humanitare në terren po i intensifikojnë këtë javë masat për kontrollin e brejtësve.

"Për t'i ulur rreziqet për shëndetin publik, nevojitet urgjentisht qasje e qëndrueshme në pajisje dhe furnizime thelbësore, si pjesë këmbimi dhe vaj për motorë", theksoi Haq.

Ai shtoi se partnerëve humanitarë që i menaxhojnë mbetjet e ngurta duhet t'u lejohet qasja në deponitë e mbeturinave në zonat ku hyrja kufizohet nga forcat izraelite, të cilat, sipas tij, përbëjnë rreth 65 për qind të territorit të Rripit të Gazës.

"Hyrja në ujë vazhdon të jetë një sfidë e përditshme për familjet", tha Haq, duke shtuar se OKB-ja dhe partnerët e saj po mbështesin qindra mijëra fëmijë dhe familjet e tyre me shërbime thelbësore të furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe higjienës.

Izraeli ka vazhduar luftën e tij në Gaza që nga 8 tetori 2023. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 73.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 174.000 të tjerë janë plagosur, shumica gra dhe fëmijë.

Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, sulmet izraelite kanë vazhduar, duke lënë të vrarë të paktën 1.207 palestinezë dhe duke plagosur 3.914 të tjerë, sipas ministrisë.