RAJONI
3 minuta leximi
Kosovë: KQZ-ja vendos të rinumërohen 50 vendvotime
Ky vendim erdhi pasi që në 15 vendvotime është hasur mospërputhje e numërimit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.
Kosovë: KQZ-ja vendos të rinumërohen 50 vendvotime
Kosovë: KQZ-ja vendos të rinumërohen 50 vendvotime / Kosova Press
10 Mars 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi të hënën që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave i takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi të hënën që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave i takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.

Ky vendim erdhi pasi që në 15 vendvotime është hasur mospërputhje e numërimit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.

Ndërkaq, për 35 vendvotime të tjera që i takojnë vetëm komunës së Vushtrrisë, KQZ-ja mori vendim pasi që “vërehet diferenca e votave të kandidatëve”.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, tha se këto dy rekomandime kanë ardhur nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore, që të procedohet për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike, të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën.

Elshani: Identifikohen 15 vendvotime, në të cilat ka mospërputhje

“Janë identifikuar 15 vendvotime, në të cilat ka mospërputhje prej një nënshkrimi dhe dy nënshkrime në listën e nënshkrimeve dhe një apo dy fletëvotime më pak ose më shumë në kutinë e votimit. Këto 15 vendvotime, si rekomandim i këshillit të operacioneve zgjedhore, është rekomanduar që të procedohet për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike, të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën. Një rekomandim i dytë është me raport që kemi pranuar për rezultatet e kandidatëve të LDK-së të dalë nga vendvotimet e Vushtrrisë, ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime, për të cilat vërehet diferenca e votave të kandidatëve, të hedhen në rinumërim të plotë”, tha Elshani.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, shtoi se Sekretariati është i gatshëm që sot në ora 16:00 ta fillojë rinumërimin e këtyre vendvotimeve.

Buzhala: Sekretariati është i gatshëm që sot të fillojë rinumërimin e kutive të votimit

“Sekretariati është i gatshëm që sot në ora 16:00 të fillojë rinumërimin e kutive të votimit. Do të njoftohen edhe vëzhguesit e akredituar të subjekteve politike, të organizatave tjera. Sa i përket vlerësimit të kutive të votimit gjatë Kosovës, që janë 177 gjithsej, ju njoftoj se dje më 9 mars 2025 në ora 14:32, ne kemi pranuar vendimin e PZAP-së, pasi që të konsumohet ky afati i ankesave deri në Gjykatën Supreme, nesër mund të fillojmë me hapjen e 177 kutive me qëllim të vlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, përputhje me vendimin e PZAP-së ose më së voni të mërkurën në mëngjes”, shtoi Buzhala.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë