| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë që kërkon nga Gjykata Speciale proces gjyqësor të drejtë
Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar zbatim të përpiktë të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë.
Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë që kërkon nga Gjykata Speciale proces gjyqësor të drejtë
Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë që kërkon nga Gjykata Speciale proces gjyqësor të drejtë / Reuters
5 orë më parë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ndodhen në paraburgim.

Në prezantimin e përmbajtjes së kësaj rezolute, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, tha se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur.

Kuvendi me 90 vota për e miratoi përmbajtjen e plotë të rezolutës, e cila rikonfirmon përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke rikujtuar se qëllimi i tyre ishte adresimi i akuzave të dala nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, të cilat, sipas tekstit, nuk janë përfshirë në aktakuzat pas më shumë se një dekade hetimesh.

Dokumenti shpreh besim në vlerat e UÇK-së dhe nderon sakrificën për liri e pavarësi dhe njëkohësisht thekson përkushtimin për demokracinë, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore sipas Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare.

Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar zbatim të përpiktë të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë, transparencë dhe mbrojtje të të drejtave të të akuzuarve, përfshirë ish-udhëheqësit e UÇK-së, si dhe nga Ombudspersoni të veprojë me pavarësi të plotë.

Rezoluta po ashtu u bën thirrje shteteve financuese dhe organizatave ndërkombëtare për respektim dhe monitorim të standardeve, ndërsa konfirmon mbështetjen institucionale dhe financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarve dhe angazhimin për afirmimin e vlerave të luftës së UÇK-së.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë