Meloni: Italia po e monitoron krizën në Lindjen e Mesme, prioritet siguria e qytetarëve

Kryeministrja italiane Meloni tha se autoritetet po i monitorojnë pasojat më të gjera të krizës, nga "siguria deri te efektet ekonomike të krizës".

By
Meloni: Italia po monitoron krizën në Lindjen e Mesme, prioritet siguria e qytetarëve / Reuters

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se Italia po e "monitoron nga afër" krizën në përshkallëzim në Lindjen e Mesme dhe po punon me aleatët për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve të saj, ndërsa mbështet përpjekjet diplomatike.

Në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X, Meloni tha se qeveria italiane është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët dhe aleatët në rajon ndërsa vlerëson situatën.

Ajo theksoi se mbrojtja e shtetasve italianë mbetet prioriteti kryesor i qeverisë ndërsa njëkohësisht mbështeten përpjekjet që synojnë uljen e tensioneve.

"Prioriteti është t’i mbrojmë bashkëqytetarët tanë dhe të punojmë, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë kryesorë, për të mbështetur çdo iniciativë që mund të çojë në një rikthim te diplomacia dhe dialogu mes palëve", tha ajo.

Kryeministrja italiane tha se autoritetet po monitorojnë pasojat më të gjera të krizës, nga "siguria deri te efektet ekonomike të krizës, duke vlerësuar të gjitha masat e mundshme për zbutjen e tyre në këto fusha".

"Siç është rënë dakord me Parlamentin, në ditët në vijim do të jem gjithashtu në sallë për t'u raportuar Dhomave", shtoi ajo.