Rusia do të shqyrtojë ndërprerjen e furnizimit me gaz për Evropën

Presidenti rus bëri të ditur se do të udhëzojë qeverinë të shqyrtojë ndërprerjen e furnizimit me gaz për Evropën përpara se BE-ja të ndalojë burimet energjetike ruse, ndërsa paralajmëroi se do t’i ridrejtojë ato drejt Azisë.

By
Rusia do të shqyrtojë ndërprerjen e furnizimit me gaz për Evropën / Reuters

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se do ta udhëzojë qeverinë të shqyrtojë mundësinë e ndalimit të furnizimit të Evropës me burime energjetike ruse dhe ridrejtimin e tyre drejt Azisë.

Duke folur në një intervistë për transmetuesin rus VGTRK në Moskë, ai theksoi se vetë Evropa po planifikon të heqë dorë plotësisht nga burimet energjetike ruse.

“Ata ende, siç thanë tani, po planifikojnë të vendosin kufizime për blerjen e gazit rus, përfshirë gazin natyror të lëngshëm, brenda një muaji, ku dita e fundit është më 24, ndërsa nga data 25 do të hyjnë në fuqi. Dhe pas një viti, në 2027, kufizime të tjera deri në një ndalim të plotë”, tha ai.

Putin shtoi: “Por tani po hapen tregje të tjera dhe ndoshta do të ishte më e leverdishme për ne të ndalnim furnizimet për tregun evropian që tani dhe të kalonim në ato tregje që po hapen, duke u vendosur atje.”

Presidenti rus theksoi se në propozimin e tij “nuk ka nëntekst politik”.

“Kjo është, në këtë rast, si të thuash, një mendim me zë të lartë. Unë patjetër do ta udhëzoj qeverinë që ta punojë këtë çështje së bashku me kompanitë tona”, tha ai.

Putin theksoi se Rusia ka qenë gjithmonë dhe mbetet “një furnizues i besueshëm i burimeve energjetike për të gjithë partnerët tanë, përfshirë, nga ana tjetër, edhe partnerët evropianë”.

“Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pikërisht në këtë mënyrë me ata partnerë që janë vetë partnerë të besueshëm për ne, me vende të tilla në Evropën Lindore, për shembull, si Sllovakia dhe Hungaria”, tha ai.

Sipas vlerësimit të tij, kriza aktuale energjetike është shkaktuar nga “politikat e gabuara të autoriteteve evropiane në sektorin e energjisë, abuzimi i tyre me agjendën ‘e gjelbër’ dhe sanksionet ndaj Rusisë”.

Putin theksoi se askush nuk i ka ndërprerë furnizimet, megjithatë çmimet janë rritur ndjeshëm.

“Pse? Për shkak të situatës së përgjithshme në tregjet botërore, përfshirë tregjet e naftës dhe në këtë rast edhe të gazit. Sepse janë shfaqur klientë që janë të gatshëm të blejnë të njëjtin gaz natyror me çmime më të larta, në këtë rast për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, mbylljes së Ngushticës së Hormuzit e kështu me radhë”, tha ai, duke iu referuar zhvillimeve lidhur me ofensivën e vazhdueshme të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Ai theksoi se në këtë situatë, nëse shfaqen blerës që paguajnë më shumë, disa furnizues tradicionalë, kompanitë amerikane, me siguri do të largohen nga Evropa për të shitur aty ku paguhet më shumë.

Putin e përshkroi sulmin e së martës ndaj një tankeri rus me gaz në Detin Mesdhe si një “akt terrorist”, duke theksuar se sulme të tilla kontribuojnë gjithashtu në rritjen e çmimeve.

Një tanker rus me gaz natyror të lëngshëm u sulmua pranë ujërave territoriale të Maltës, njoftoi të mërkurën Ministria ruse e Transportit, duke fajësuar për sulmin mjete detare pa pilot ukrainase.

“Rezulton se regjimi i Kievit në fakt po kafshon dorën që e ushqen, pra dorën e BE-së. BE-ja i ofron ndihmë të pafundme regjimit të Kievit, me armë dhe para. Dhe regjimi i Kievit krijon një problem pas tjetrit për BE-në”, argumentoi ai.

Putin pretendoi më tej se Kievi, me mbështetjen e disa shërbimeve speciale perëndimore, po përgatitet të shpërthejë gazsjellësit Blue Stream dhe TurkStream.

“Ne tashmë i kemi informuar miqtë tanë turq për këtë çështje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në këtë drejtim, por kjo është një lojë shumë e rrezikshme, veçanërisht sot”, tha ai.