Një korpus ushtarak gjermano-holandez do të marrë një rol komandues në krahun lindor të NATO-s, konkretisht në Estoni dhe Letoni, njoftuan të enjten ministritë e Mbrojtjes të dy vendeve.
Vendosja e një shtabi taktik shtesë në rajon këtë verë do të forcojë kohezionin e NATO-s dhe do të mbështesë “parandalimin ndaj Rusisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrive gjermane dhe holandeze, të cilat riafirmuan angazhimin për mbrojtjen e krahut lindor të aleancës.
NATO-ja pritet ta zyrtarizojë këtë verë zgjerimin e rolit të Korpusit të Parë Gjermano-Holandez (1GNC). Ky kontingjent dykombësh me gatishmëri të lartë mund të dislokohet me shpejtësi dhe të komandojë operacione tokësore.
Sipas marrëveshjes së re, korpusi do të marrë komandën dhe kontrollin e njësive tokësore të NATO-s dhe atyre kombëtare të vendosura në Estoni dhe Letoni, duke drejtuar stërvitjet dhe përgatitjet e tjera, si dhe duke koordinuar mbrojtjen e krahut lindor në rast krize.
“Me integrimin e Korpusit Gjermano-Holandez në planet mbrojtëse të NATO-s, të dy vendet po marrin përgjegjësi shtesë për sigurinë e Evropës”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj rolit tonë; ky korpus është një histori suksesi e bashkëpunimit shumëkombësh”, shtoi ai.
Me seli në Munster të Gjermanisë, shtabi i 1GNC mund të komandojë një forcë ndërkombëtare prej rreth 50 mijë personash gjatë krizave dhe konflikteve.
Përveç Gjermanisë dhe Holandës, më shumë se një duzinë aleatësh të tjerë të NATO-s kontribuojnë aktualisht me personel në këtë shtab.
Korpusi ishte dislokuar më parë në Afganistan në vitet 2003, 2009 dhe 2013 në mbështetje të Forcës Ndërkombëtare të Asistencës për Sigurinë (ISAF).
Ndërmjet viteve 2005 dhe 2024, ai qëndroi gjithashtu në gatishmëri për Forcën e Reagimit të NATO-s gjatë shtatë periudhave njëvjeçare.

















