Libia shpalli të martën tri ditë zie kombëtare pas vdekjes së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Mohammed al-Haddad, dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë në një aksident ajror pranë kryeqytetit turk, Ankarasë.
Në një deklaratë, Qeveria e Unitetit Kombëtar u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe kolegëve të tyre në Forcat e Armatosura Libiane.
Gjatë periudhës triditore të zisë, të gjitha institucionet shtetërore do t’i ulin flamujt në gjysmë shtize, ndërsa ceremonitë dhe festimet zyrtare do të pezullohen.
“Qeveria e Unitetit Kombëtar shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin më të thellë për familjet e të ndjerëve dhe kolegët e tyre në forcat e armatosura, duke iu lutur Zotit të Plotfuqishëm t’i mbulojë me mëshirën e Tij, t’u japë prehje të përjetshme në xhenetet e Tij të gjera dhe t’u dhurojë familjeve dhe të afërmve durim dhe ngushëllim,” thuhet në deklaratë.
Kryeministri libian Abdul Hamid Dbeibeh ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes që të dërgojë një delegacion zyrtar në Ankara për koordinim të drejtpërdrejtë me autoritetet turke dhe për shqyrtimin e rrethanave të aksidentit, shtohet më tej.
Tragjedia përkon me shënimin e planifikuar të Ditës së Pavarësisë së Libisë më 24 dhe 25 dhjetor, me të cilën shënohen 74 vjet nga çlirimi i vendit nga pushtimi italian. Këtë vit, kjo ditë do të shënohet nën hijen e zisë kombëtare.
Edhe kryetari i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohamed Menfi, shprehu keqardhje për vdekjen e Al-Haddadit dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë.
Më herët, ministri i Brendshëm i Türkiyes, Ali Yerlikaya, njoftoi se mbetjet e avionit Falcon 50, i cili po fluturonte drejt Tripolit dhe po transportonte Al-Haddadin, u gjetën në jug të zonës Haymana, pranë Ankarasë.























