Rusia: Shpresojmë që samiti Putin-Trump të zhvillohet pas përgatitjeve të nevojshme
"Shpresojmë që kjo të ndodhë sapo të përfundojnë përgatitjet për samitin dhe të jenë krijuar kushtet e nevojshme. Është e pamundur të parashikohet se kur do të lindin këto kushte", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ata shpresojnë që samiti midis Presidentit rus, Vlladimir Putin dhe Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi të përfundojnë përgatitjet e nevojshme.
Peskov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Moskë lidhur me çështjet e ndryshme aktuale.
Duke komentuar deklaratat e Ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, se lufta mund të shpërthejë midis Rusisë dhe NATO-s, Peskov tha se "Një retorikë e tillë militariste dëgjohet gjithnjë e më shumë në kryeqytetet evropiane. Në Rusi nuk ka mbështetës të një konflikti me NATO-n, por ne jemi të detyruar dhe duhet të marrim masa për t'i siguruar interesat tona legjitime".
Peskov deklaroi se kontaktet në nivel ekspertësh janë duke u zhvilluar me Ukrainën në lidhje me shkëmbimin e të burgosurve.
Lidhur me një samit të mundshëm midis Putinit dhe Trumpit, Peskov u shpreh: "Shpresojmë që kjo të ndodhë sapo t'i përfundojnë përgatitjet për samitin dhe të jenë krijuar kushtet e nevojshme. Është e pamundur të parashikohet se kur do të lindin këto kushte, por sigurisht të gjithë duam që këto kushte të realizohen sa më shpejt të jetë e mundur".
Peskov theksoi se ata po monitorojnë procesin në lidhje me projektligjin në ShBA për vendet që vazhdojnë tregtinë me Rusinë dhe se miratimi i projektligjit do të shihet "jashtëzakonisht negativisht" nga Rusia.