| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Serbisë
Në seancën konstituive u konfirmuan mandatet e deputetëve ndërsa filloi edhe afati 90-ditor për formimin e qeverisë së re.
Konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Serbisë
Konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Serbisë / TRT Balkan AL

Përbërja e re e Kuvendit të Serbisë u konstituua, duke shënuar fillimin e punës së legjislaturës së 15-të të parlamentit, në të cilën Partia Përparimtare Serbe (SNS) do të veprojë në opozitë për herë të parë pas 14 vitesh. 

Në seancën konstituive u konfirmuan mandatet e deputetëve, të cilët më pas dhanë edhe betimin solemn.

Në rendin e ditës janë gjithsej gjashtë pika, ndër të cilat zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit Popullor, emërimi i sekretarit të përgjithshëm, zgjedhja e anëtarëve të organeve punuese të kuvendit dhe e delegacioneve të përhershme parlamentare në institucionet ndërkombëtare.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 25 tetor, lista "Lista e Studentëve – Studentët Fitojnë" fitoi 140 mandate ndërsa lista "Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar" mori 103 mandate.

Në përbërjen e re të parlamentit hynë edhe shtatë deputetë nga listat e pakicave. Lista e Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës dhe Koalicioni Shqiptar fituan nga dy mandate ndërsa nga një deputet do të kenë listat "Rasim Ljajiq – Njerëzorja (SDP – CDP)", "SDA e Sanxhakut – Mbrojtësit e Sanxhakut" dhe "Usame Zukorliq (SPP) - Lëvizja për Bashkim".

Para ndërtesës së Kuvendit Popullor, para fillimit të seancës, u mblodhën qytetarë të cilët, me ftesë të studentëve, përcollën kandidatët e Listës së Studentëve drejt parlamentit. Pas kësaj, studentët u bënë thirrje qytetarëve të shpërndaheshin në mënyrë paqësore dhe vazhdimin e seancës ta ndiqnin nga shtëpitë, kafenetë dhe hapësirat e tjera.

Qytetarët e mbledhur fishkëllyen disa kandidatë të listës "Serbia e Bashkuar" gjatë mbërritjes së tyre në parlament, mes të cilëve Arno Gujon dhe Lidija Vukiqeviq. Një nga gratë e pranishme e spërkati Vukiqeviqin me kos në flokë, në shkallët e hyrjes kryesore të ndërtesës së parlamentit.

Përfaqësuesve të studentëve, sipas deklarimeve të tyre, iu refuzua pjesëmarrja në seancën konstituive nga galeria e sallës së madhe, me vendim të sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit Popullor. Seanca u thirr nga kryetarja e përbërjes së deritanishme të parlamentit, Ana Bërnabiq ndërsa deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit Popullor, atë e drejtoi deputeti më i moshuar, profesori Stojan Radenoviq.

Të premten u zhvilluan konsultime mes përfaqësuesve të Listës së Studentëve, listës "Aleksandar Vuçiq - Serbia e Bashkuar" dhe listave të pakicave, por nuk u arrit marrëveshje për numrin e vendeve të nënkryetarëve dhe kryetarët e organeve punuese të kuvendit.

Pas konsultimeve, Lista e Studentëve njoftoi se kryetari i Kuvendit Popullor, numri i nënkryetarëve dhe emrat e tyre do të votohen me shumicë votash në seancë. Bartësi i listës "Serbia e Bashkuar", Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar më herët se ishte zgjedhur kryetar i grupit parlamentar të kësaj liste, duke bërë të ditur se ajo do të propozonte Stojan Radenoviqin për kryetar të parlamentit.

Me konstituimin e Kuvendit të Serbisë filloi të rrjedhë afati 90-ditor për formimin e qeverisë së re.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë