Audi, marka luksoze e Grupit Volkswagen, raportohet se ka pezulluar dërgesat e automjeteve drejt Shteteve të Bashkuara për shkak të tarifave shtesë ndaj makinave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas një raporti të një portali gjerman të industrisë së makinave, Audi u ka dërguar një letër shitësve të saj në ShBA duke i informuar se të gjitha automjetet që hyjnë në vend pas datës 2 prill do të mbahen për momentin dhe nuk do t’u dorëzohen shitësve.
Shitësve u është kërkuar të përqendrohen në uljen e inventarit ekzistues. Sipas raportit, Audi aktualisht ka rreth 37.000 makina në ShBA që nuk preken nga tarifat e reja.
Audi nuk ka fabrikë në ShBA dhe i importon të gjitha automjetet që shet në këtë vend. Modeli më i shitur, Q5, prodhohet në fabrikën e Audit në Meksikë, ndërsa pjesa tjetër e modeleve vijnë nga fabrikat në Gjermani, Hungari dhe Sllovaki.
Sipas mediave gjermane, kompania mëmë Volkswagen ka ndalur përkohësisht dërgesat e makinave me tren nga Meksika dhe nga portet e saj, duke pritur më shumë qartësi për çmimet deri në mes të prillit.
Ndërkohë, që nga 3 prilli, ShBA-ja ka vendosur një tarifë shtesë prej 25% për importet e makinave, përveç tarifës ekzistuese prej 2,5%. Nga muaji maj, edhe 150 kategori pjesësh këmbimi për automjete do t’i nënshtrohen kësaj shtese tarifore.