Kosovë, fillon turneu i pingpongut i organizuar nga Fondacioni Turk Maarif
Në këtë turne po marrin pjesë 24 ekipe të pingpongut nga mbarë vendi.
Ka filluar "Turneu i Pingpongut TMV Kosova", i organizuar nga Përfaqësia e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Kosovë.
Në turneun e mbajtur në Degën e Prishtinës të Shkollave Ndërkombëtare Maarif të Kosovës morën pjesë Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, përfaqësues të 24 ekipeve pjesëmarrëse nga mbarë vendi, mësimdhënës dhe nxënës.
Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Aslan, në një prononcim për Anadolu tha se turneu, i cili organizohet për herë të parë, ka sjellë një emocion të veçantë.
Ai theksoi se turneu është organizuar me qëllim të orientimit të fëmijëve dhe të rinjve në sport.
"Qëllimi ynë është t'i sjellim bashkë fëmijët nga shkolla të ndryshme. Edhe pse vlerësohet si një garë apo turne, dëshira jonë kryesore është afrimi i fëmijëve me njëri-tjetrin dhe nxitja e tyre drejt sportit", tha Aslan.
Edhe Kastriot Orana, drejtues i Klubit të Pingpongut në Prishtinë "Priping", mbajti një fjalë rasti ku i uroi suksese pjesëmarrësve në këtë garë.
Ndeshjet e turneut filluan menjëherë pas hedhjes së shortit ndërsa aktiviteti do të përfundojë në fund të ditës dhe sportistëve më të suksesshëm do t’u ndahen certifikata.
Turneu, i organizuar në bashkëpunim me klubet e pingpongut "Priping" dhe "KPP Prishtina", synon forcimin e kulturës sportive, nxitjen e konkurrencës së shëndetshme dhe promovimin e vlerave të "fair play"-it.
Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës, të cilat e nisën veprimtarinë arsimore në vitin 2017, aktualisht ofrojnë arsim për rreth 760 nxënës në degët e tyre në Prishtinë dhe Prizren.