Katër persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë lënduar si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak të Misionit të Forcës së Bashkimit Evropian (EUFOR) në Brçko, në veri të Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas informacioneve nga autoritetet, nga aksidenti kanë humbur jetën katër persona, ndërsa 11 të lënduar po marrin trajtim në spitale.
Në një deklaratë, EUFOR-i bëri të ditur se një nga mjetet e tij ajrore është rrëzuar gjatë një operacioni rutinë në rajonin e Brçkos.
Policia, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës mjekësore janë dërguar në vendin e ngjarjes. Zona është siguruar, ndërsa pamjet e publikuara nga mediat tregojnë helikopterin e shkatërruar.
Numri i personave që ndodheshin në helikopter nuk është bërë ende i ditur zyrtarisht, ndërsa mësohet se të gjithë ushtarët ishin italianë.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një deklaratë të publikuar në llogarinë e saj në X, ka shprehur “pikëllim të thellë” nga lajmi për aksidentin tragjik të helikopterit italian të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë.
Duke theksuar se mendimet e saj janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që po kalojnë orë ankthi teksa shërbejnë në misionin për paqe dhe stabilitet në rajon, Meloni tha: “U përcjell atyre afërsinë time më të sinqertë dhe solidaritetin e qeverisë italiane”.




















