| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
Kreu i Federatës iraniane të Futbollit: Vizat për Kupën e Botës duhet të lëshohen në kohë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit ka thënë se FIFA po e koordinon procesin e vizave me ShBA-në, Kanadanë dhe Meksikën përpara turneut të vitit 2026.
Kreu i Federatës iraniane të Futbollit: Vizat për Kupën e Botës duhet të lëshohen në kohë
Kreu i Federatës iraniane të Futbollit: Vizat për Kupën e Botës duhet të lëshohen në kohë / AA

Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj ka thënë se lëshimi në kohë i vizave mbetet një nga shqetësimet kryesore përpara Kupës së Botës FIFA 2026, raportojnë mediet iraniane.

"Çështja e vizave aktualisht është një nga temat më të rëndësishme. FIFA duhet ta zgjidhë procesin e lëshimit në mënyrë që vizat të jepen në kohë dhe anëtarët e ekipit dhe shoqëruesit të mund të udhëtojnë pa probleme", ka thënë Taj.

Ai ka shtuar se Irani tashmë ka dorëzuar listat dhe kërkesat e nevojshme lidhur me turneun dhe se kjo çështje do të koordinohet dhe shpallet bashkërisht me Meksikën, Kanadanë dhe ShBA-në. Taj gjithashtu ka thënë se shqetësimet e ngritura më parë për kushtet e organizimit dhe ndjeshmëritë e mundshme në ShBA “janë zvogëluar pjesërisht”.

“Për momentin nuk ka probleme të veçanta në Meksikë dhe kushtet po shkojnë normalisht”, ka thënë ai. Kreu i futbollit iranian ka shtuar se pala amerikane, sipas raportimeve, ka treguar bashkëpunim në disa rregullime, përfshirë çështje që lidhen me praninë e iranianëve dhe plotësimin e disa kërkesave logjistike.

Ekipi kombëtar i Iranit javën e kaluar dorëzoi aplikimet për viza në Ambasadën e ShBA-së në Ankara, në prag të Kupës së Botës 2026. Turneu do të organizohet bashkërisht nga ShBA-ja, Kanadaja dhe Meksika nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Anëtarët e skuadrës iraniane udhëtuan nga kampi i tyre stërvitor në qytetin turistik Antalya në kryeqytetin Ankara për të përfunduar procedurat e vizave. Skuadra ka qenë në kamp stërvitor në Antalya që nga 19 maji.

Zëvendëspresidenti i parë i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Mohammad Nabi më herët ka thënë se delegacioni do t'i përfundojë procedurat e vizave për Kanadanë gjatë vizitës, ndërsa priten të bashkohen edhe disa lojtarë iranianë që luajnë jashtë vendit.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë