Agjencia e OKB-së për refugjatët paralajmëroi sot se kriza humanitare në Liban mbetet e rëndë pavarësisht një armëpushimi të shpallur muajin e kaluar, duke përmendur dhunën e vazhdueshme, zhvendosjen dhe nevojat në rritje.
Përfaqësuesja e agjencisë në Liban, Karolina Lindholm Billing, u tha gazetarëve në Gjenevë se situata është në "një moment thellësisht të brishtë", me sulme ajrore të vazhdueshme izraelite, kufizime të lëvizjes dhe pengesa për kthim që detyrojnë zhvendosje të përsëritura.
"Pavarësisht një armëpushimi të shpallur që nga 17 prilli, zhvendosja dhe kriza humanitare në Liban është larg të qenit e mbaruar", tha ajo. Të paktën 380 persona janë vrarë që nga armëpushimi ndërsa shkatërrimi i përhapur ka lënë shtëpi dhe infrastrukturë të dëmtuara ose të papërdorshme, shtoi ajo.
Billing tha se shumë familje që përpiqen të kthehen, detyrohen të ikin përsëri pasi i gjejnë shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe shërbimet themelore të padisponueshme. "Familjet ikin, kthehen për pak kohë, pastaj ikin përsëri, të kapura në cikle të përsëritura dhe shteruese pasigurie", tha ajo.
Më shumë se 310 mijë sirianë janë kthyer në Siri që nga marsi mes përshkallëzimit ndërsa Thirrja e Shpejtë për në Liban është financuar vetëm 38 për qind, duke kufizuar përpjekjet për ndihmë. Ajo kërkoi që armëpushimi i brishtë duhet të respektohet për të mundësuar kthime të sigurta për familjet e zhvendosura dhe të shoqërohet me mbështetje të qëndrueshme ndërkombëtare.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) paralajmëroi se kriza po përkeqësohet, me zëdhënësin Tommaso Della Longa që deklaroi: "Kriza humanitare në Liban po thellohet".
Ai tha se rreth një në pesë persona në vend janë të zhvendosur, rreth 1,2 milion, me shumë që jetojnë në tenda ose strehimore pa qasje të besueshme në ujë ose shërbime bazë. "Armëpushimi mbetet i brishtë. Ai nuk ka rivendosur shtëpitë ose mjetet e jetesës, as nuk garanton nevojat themelore si uji, ushqimi ose kujdesi shëndetësor", tha ai.
Della Longa paralajmëroi se thirrja emergjente e IFRC-së për Libanin është financuar vetëm 12.5 për qind që do të thotë se "mbështetja kritike mund të reduktohet së shpejti kur është më e nevojshme". Ai theksoi rreziqet me të cilat përballen punonjësit humanitarë, duke thënë se vullnetarët “kanë nevojë për mbrojtje dhe akses më të sigurt” ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit në kushte të rrezikshme.
“Fondi Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të vazhdojë të kërkojë atë që nuk duhet të kërkohet kurrë: respekt dhe mbrojtje për personelin humanitar”, përfundoi ai.

















