Qeveria gjermane nuk mohon pretendimet për bashkëpunim mes "Volkswagen"-it dhe Izraelit

"Berlini është në dijeni mbi raportimet mediatike. Sektori i automjeteve po kalon një proces transformimi në kushtet e konkurrencës së ashpër ndërkombëtare", tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.

By
Qeveria gjermane nuk mohon pretendimet për bashkëpunim mes "Volkswagen"-it dhe Izraelit / Reuters

Qeveria gjermane nuk i ka mohuar pretendimet për bashkëpunim mes "Volkswagen"-it dhe Izraelit, kur u pyet nga Anadolu lidhur me raportet për përdorimin e mundshëm të fabrikës së kompanisë në Osnabruk për prodhim në industrinë e mbrojtjes.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se "Berlini është në dijeni mbi raportimet mediatike. Ai theksoi se sektori i automjeteve po kalon një proces transformimi në kushtet e konkurrencës së ashpër ndërkombëtare.

"Si qeveri federale, ne natyrisht mirëpresim iniciativa që ndihmojnë në sigurimin e vendeve të punës në Gjermani", tha zëdhënësi duke shtuar se qeveria po vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet në sektorin e automjeteve.

Ai tha se qeveria vitin e kaluar mbajti një samit të madh me kompanitë e prekura dhe me shtetet federale që presin grupe të mëdha automobilistike, ku u ra dakord për masa për mbështetjen e sektorit. Megjithatë, ai refuzoi të komentojë më tej mbi raportimet specifike.

I pyetur veçmas për nisma të mundshme në prokurimin e mbrojtjes, gjithashtu edhe Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë nuk konfirmoi dhe as nuk mohoi diskutime të tilla.

Një zëdhënës i ministrisë tha se informacionet për sistemin "Iron Dome" janë të disponueshme në faqet zyrtare, por theksoi se çdo bisedim i mundshëm për prokurim, nëse ekziston, do të trajtohet brenda institucioneve dhe do të bëhet publik vetëm pas miratimit parlamentar.

"Ju lutemi të mos e interpretoni këtë si një deklaratë që mohon ose konfirmon ekzistencën e këtyre shqyrtimeve. Kjo është thjesht një çështje konfidenciale", tha zëdhënësi.

Raportimet mediatike së fundmi kanë ngritur pikëpyetje për bashkëpunim të mundshëm që përfshin objektet e "Volkswagen"-it dhe prodhimin e lidhur me industrinë izraelite të mbrojtjes, por autoritetet gjermane deri më tani kanë shmangur trajtimin e drejtpërdrejtë të përmbajtjes së këtyre pretendimeve.