Në Spitalin Rajonal Memorial në Fier sot është mbajtur ceremonia e 5-vjetorit të themelimit të spitalit, i cili është ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes, ndërkohë në këtë spital do të ngrihen dy shërbime të reja, kardiokirurgjia dhe kabineti i kimioterapisë ditore.
Në ceremoninë e 5-vjetorit të themelimit të spitalit, ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, Evis Sala, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes dhe zyrtarë të tjerë.
Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë thuhet se shërbimet e reja shënojnë një fazë të rëndësishme zgjerimi të kapaciteteve mjekësore të spitalit.
Sipas njoftimit, ministrja Sala, në fjalën e saj gjatë ceremonisë së 5-vjetorit të themelimit, vlerësoi rolin dhe funksionimin e Spitalit Memorial në Fier "si një model suksesi, profesionalizmi dhe besimi në shërbim të mijëra qytetarëve të jugut".
Sipas saj, do të shtohen shërbime të rëndësishme si kardiokirurgjia dhe onkologjia, "duke përfaqësuar një hap të mëtejshëm në forcimin e kujdesit shëndetësor të specializuar në vend".
“Sot Memoriali po hyn në një fazë të re zhvillimi. Po punojmë për ngritjen e shërbimit të kardiokirurgjisë me ekip të përbashkët shqiptar dhe turk, duke sjellë një tjetër standard të avancuar shërbimi për qytetarët tanë. Po zgjerojmë aksesin në trajtimin onkologjik përmes kabinetit të kimioterapisë ditore, duke ofruar kujdes më pranë pacientëve dhe familjeve të tyre”, deklaroi ministrja Sala.
Sipas Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, ambasadori turk në fjalën e tij ka theksuar se Spitali i Miqësisë në Fier nuk është vetëm një institucion shëndetësor i pajisur me mundësitë e mjekësisë moderne, por sipas tij ai është gjithashtu simboli më i fortë i "lidhjeve vëllazërore të rrënjosura thellë, të besimit të palëkundur dhe vlerave të përbashkëta njerëzore midis Türkiyes dhe Shqipërisë".
"Ky spital, themelet e të cilit u hodhën me vullnetin e fortë dhe vizionin e përbashkët të Presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministrit Edi Rama, u përfundua dhe u hap në shërbim në një kohë rekord, ku është bërë një nga qendrat më prestigjioze sa i përket kujdesit shëndetësor në Shqipëri sot", është shprehur ambasadori turk.
Ambasadori Erciyes ka shtuar se mjekët, infermierët dhe stafi administrativ kompetent të kujdesit shëndetësor në Türkiye, punojnë në harmoni të plotë me kolegët e tyre shqiptarë në këtë spital.
Erciyes ka theksuar Türkiye do të vazhdojë të qëndrojë pranë vendit mik dhe vëlla, Shqipërisë, "sot dhe nesër, siç kemi bërë gjithmonë". "Jemi të vendosur të përparojmë më tej bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat, veçanërisht në shëndetësi", ka theksuar ndër të tjera ambasadori turk.
Dy shërbimet e reja në këtë spital, sipas autoriteteve shqiptare, do të rrisin ndjeshëm aksesin dhe cilësinë e trajtimeve të specializuara për pacientët.
Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes. Spitali u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Türkiyes, spitali menaxhohet për një periudhë disavjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare.
Spitali Memorial Rajonal në Fier ka marrë kartën e autonomisë financiare, ndërkohë është spitali i parë publik në Shqipëri që ka përfituar më parë kartën e autonomisë menaxheriale.






















