Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në një takim ministrin kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq-Radman, me të cilin, sipas Presidencës, diskutoi mbi marrëdhëniet “shumë të mira dhe miqësore” midis dy vendeve, si edhe forcimin e partneritetit strategjik, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.
“Kreu i Shtetit falënderoi Kroacinë për avokatinë e vazhdueshme që i bën Shqipërisë dhe procesit integrues të saj në të gjitha tryezat ndërkombëtare dhe mori edhe një herë sigurinë dhe gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të vijuar me mbështetjen në çdo aspekt të këtij procesi. Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës dhe vlerësoi se bashkëpunimi ynë mbetet i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, thekson njoftimi.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka shkruar se riafirmuan “partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zagrebit për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”.
“Bashkëpunimi ynë mbetet thelbësor për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”, ka theksuar Begaj.
Gjatë vizitës në Shqipëri, kryediplomati kroat u takua edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.






















