| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Vuçiq pas votimit në Beograd: Sot, Serbia zgjedh mes së ardhmes dhe së kaluarës
Ish-presidenti i Serbisë dhe kryesuesi i listës "Serbia e Bashkuar" deklaroi se, në rast humbjeje, do ta respektojë vullnetin e votuesve.
Vuçiq pas votimit në Beograd: Sot, Serbia zgjedh mes së ardhmes dhe së kaluarës
Vuçiq pas votimit në Beograd: Sot, Serbia zgjedh mes së ardhmes dhe së kaluarës

Ish-presidenti i Serbisë dhe kryesuesi i listës “Serbia e Bashkuar” në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në vend, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas votimit në Beograd se pret që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe se qytetarët do ta shprehin vullnetin e tyre demokratik, duke theksuar se Serbia sot zgjedh mes së ardhmes dhe së kaluarës.

Vuçiq tha se, në rast humbjeje, do të sillet me përgjegjësi dhe do ta njohë vullnetin e votuesve.

“Shpresoj që zgjedhjet të zhvillohen në rregull dhe paqe, ashtu si në këtë qendër votimi. Besoj se sonte do ta kemi vullnetin demokratik të qytetarëve”, tha Vuçiq pas hedhjes së votës.

“Ne do të sillemi gjithmonë me përgjegjësi: Nëse humbim, do ta njohim vullnetin e votuesve; nëse fitojmë, askush nuk do të na e marrë fitoren. Kaq është e gjitha. Serbia sot zgjedh drejtimin në të cilin do të ecë: Drejt së ardhmes apo drejt së kaluarës, drejt kohës së privatizimeve grabitqare, shkatërrimit ekonomik të vendit dhe poshtërimit politik të kombit dhe gjithë shtetit. Do të shohim se si do të vendosin njerëzit, vullneti i popullit është vullneti i Zotit”, deklaroi Vuçiq.

“Rreth orës 22:00, 22:30 ose 23:00 do ta dimë se kush ka fituar, në mos asgjë tjetër. Atëherë do të kemi vlerësimin e parë ose paraprak të rezultatit përfundimtar”, tha ai.

Vuçiq foli edhe për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga mediat kroate, dhe shprehu shpresën se ato mund të përmirësohen në të ardhmen.

“Shpresoj se në të ardhmen do të mund të kemi marrëdhënie disi më të mira me Kroacinë. Për këtë është e nevojshme që të ndërhyni më pak në proceset tona zgjedhore dhe në rrethanat tona të brendshme politike. Gjithashtu, është e nevojshme që të fyeni më pak Serbinë çdo ditë dhe të tregoni më shumë respekt për vendin tonë. Atëherë edhe ne do të tregojmë gjithmonë respekt për vendin tuaj”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se kishte lexuar në mediat kroate pretendime se ai ishte “i mbaruar”, por theksoi se më shumë do të dihet pas numërimit të votave.

I pyetur për mbështetjen që ka marrë nga presidenti rus Vlladimir Putin dhe rëndësinë e saj për marrëdhëniet e ardhshme, Vuçiq tha se aktorë të ndryshëm politikë marrin mbështetje nga persona të ndryshëm.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat marrin pjesë 18 lista zgjedhore me gjithsej 2.418 kandidatë.

Votimi po zhvillohet në 8.392 qendra votimi në gjithë vendin, nën vëzhgimin e vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë. Qendrat e votimit janë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë