Siria ka thërritur të mërkurën ambasadorin e Jordanisë në Damask dhe i ka dorëzuar notë zyrtare proteste për sulmet ajrore jordaneze që vranë civilë, përfshirë fëmijë, në provincën jugore Deraa, sipas një deklarate të departamentit të medias të Ministrisë së Jashtme, të publikuar nga Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA).
Ministria e Jashtme ka thërritur Sufian al-Qudah dhe i ka dorëzuar notën lidhur me sulmet ndaj objekteve civile.
Ky veprim erdhi një ditë pasi Siria dhe Jordania ranë dakord të krijojnë një komitet të përbashkët të sigurisë për t'i hetuar sulmet ajrore dhe për ta forcuar koordinimin me qëllim mbrojtjen e civilëve dhe ruajtjen e sovranitetit sirian.
Marrëveshja u arrit pas një bisede telefonike të zhvilluar të martën vonë mes ministrit të Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, dhe homologut të tij jordanez, Ayman Safadi.
Safadi shprehu keqardhje të thellë për viktimat dhe ngushëlloi popullin sirian.
Ai tha se sulmet kishin në shënjestër pozicionet e organizatës terroriste ISIS (DEASh), bazuar në informacione të inteligjencës për kërcënime të konfirmuara dhe sulme të pashmangshme kundër Jordanisë.
Sipas autoriteteve siriane, shtatë persona u vranë në sulmet e së hënës.
Zëdhënësi i qeverisë jordaneze, Mohammad al-Momani, tha të martën se sulmet vranë më shumë se 20 pjesëtarë të ISIS-it dhe shkatërruan një depo të madhe armësh.
Ushtria jordaneze tha se operacioni kishte në shënjestër grupe të lidhura me sulmin e së premtes ndaj personave që ishin mbledhur për të mbajtur zi në një kishë në provincën jugore jordaneze Karak, ku u vranë nëntë persona.
Siria i dënoi sulmet si shkelje të sovranitetit të saj, duke thënë se ato u kryen pa koordinim me Damaskun.






















