Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Vilnius të Lituanisë, ku është takuar me homologu i tij lituanez, Kestutis Budry, me fokus bisedimet për marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe çështje të tjera.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se takimi konfirmoi "marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Lituanisë, të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës" si dy vende anëtare të NATO-s.
Ministri Hoxha, sipas njoftimit, shprehu mirënjohjen ndaj Lituanisë për mbështetjen ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.
Sipas kryediplomatit Hoxha, Presidenca lituaneze e Këshillit të Bashkimit Evropian, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027, "do të jetë një mundësi e rëndësishme për ta mbajtur zgjerimin në krye të axhendës evropiane".
"Ministri lituanez Kestutis Budry, deklaroi se Shqipëria është sot një shembull i faktit se si funksionon një proces zgjerimi i BE-së i bazuar te merita dhe rezultatet konkrete të vendeve kandidate, duke vlerësuar kështu rrugëtimin e deritanishëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE", thekson njoftimi.
Ministri Hoxha shprehu gjithashtu vlerësimin për qëndrueshmërinë dhe lidershipin e Lituanisë "përballë sfidave të përditshme të sigurisë që burojnë nga agresioni rus", duke shtuar: "Qëndrimi i përbashkët me partnerët tanë mbetet thelbësor për mbrojtjen e paqes, lirisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
Gjithashtu ministri Hoxha ka nënvizuar "mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj".
"Ministrat u ndalën edhe në thellimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, përfshirë mundësinë që Shqipëria të përfitojë nga përvoja e vyer e Lituanisë në organizimin e suksesshëm të Samitit të NATO-s në Vilnius në vitin 2023, ndërsa vijojmë përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027", thekson njoftimi.
Sipas ministrisë, të dy homologët nënshkruan marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit tatimor "që përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik".























