Bashkimi Evropian sot dënoi ashpër komentet e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, të cilat sugjeronin se Libani "duhet të digjet", duke e përshkruar një retorikë të tillë si të papranueshme, ndërkohë që e riafirmoi mbështetjen për sovranitetin dhe stabilitetin libanez.
I pyetur lidhur me komentet e Ben-Gvirit dhe diskutimet e vazhdueshme midis anëtarëve të BE-së mbi sanksionet e mundshme kundër ministrit, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se "blloku dënon në termat më të fuqishëm të mundshëm një diskurs të tillë".
"Më lejoni të jem i qartë, BE-ja e dënon fuqishëm këtë dhe në termat më të fuqishëm të mundshëm, një diskurs të tillë", u tha Anouar El Anouni, gazetarëve në një konferencë të përditshme informuese.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha javën e kaluar se disa vende anëtare mbështesin vendosjen e sanksioneve ndaj Ben-Gvirit, por nuk pati konsensus, siç ka qenë edhe rasti për gjenocidin e Izraelit në Gaza.
Edhe pse është arritur marrëveshje kornizë paqeje ShBA-Iran, Izraeli, i cili ka sulmuar Libanin që nga fillimi i marsit, refuzon të tërhiqet nga territori libanez. Ai ka vazhduar ta sulmojë vendin pavarësisht një mirëkuptimi për të zbatuar armëpushimin e arritur në prill.
"Për çdo lot të një nëne izraelite, një mijë nëna libaneze duhet të qajnë. I gjithë Libani duhet të digjet! Me gjithë respektin e duhur për amerikanët, Izraeli duhet t'ia bëjë të qartë të gjithë botës se gjaku i bijve tanë dhe siguria e qytetarëve tanë nuk humbasin", kishte shkruar Ben-Gvir në X.
Anouni nuk pranoi të komentojë mbi hapat e mundshëm të ardhshëm përpara diskutimeve të mëtejshme që priten në korrik. "Nuk do të paragjykoj ose të spekuloj në asnjë mënyrë nga këtu për sa i përket hapave të ardhshëm. BE-ja qëndron me Libanin dhe me popullin e Libanit", tha zëdhënësi duke shtuar se "Libani po paguan çmim të lartë për një luftë që nuk e zgjodhi vetë".
Ai i bëri thirrje Izraelit të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit dhe të tërheqë forcat e tij nga territori libanez në përputhje me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zëdhënësi kujtoi se Këshilli Evropian javën e kaluar i kërkoi Izraelit të përmbahet nga çdo përshkallëzim i mëtejshëm.
BE-ja do të vazhdojë të ofrojë ndihmë emergjente për Libanin dhe mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të vendit, shtoi ai. Si pjesë e kësaj mbështetjeje, blloku miratoi së fundmi një paketë ndihme prej 100 milionë eurosh përmes Fondit Evropian të Paqes që e synon forcimin e Forcave të Armatosura të Libanit.


















