| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Senatori amerikan kërkon llogaridhënie për vrasjen e 9 amerikanëve nga Izraeli në Bregun Perëndimor
“Nëntë shtetas amerikanë të vrarë. Asnjë përgjegjës përpara drejtësisë”, deklaroi Van Holleni.
Senatori amerikan kërkon llogaridhënie për vrasjen e 9 amerikanëve nga Izraeli në Bregun Perëndimor
Senatori amerikan kërkon llogaridhënie nga Izraeli për vrasjen e nëntë shtetasve amerikanë

Senatori amerikan, Chris Van Hollen, ka përsëritur thirrjen për të kërkuar llogari ndaj personave përgjegjës për vrasjen e 9 shtetasve amerikanë nga Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar, në vitin 2022.

“Dua të shfrytëzoj disa minuta për t’u folur kolegëve të mi për këta 9 shtetas amerikanë, të vrarë nga kolonët izraelitë ose forcat izraelite të sigurisë gjatë pak më shumë se katër viteve të fundit”, deklaroi Van Holleni në një fjalim në Senat, të cilin e publikoi edhe në një video në llogarinë e tij në rrjetin social “X”.

Ai përmendi emrat e viktimave: Omar Assad, 78 vjeç; gazetarja e Al-Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, 51 vjeçe; Tawfic Abdel Jabbar, 17 vjeç; Mohammad Khdour, 17 vjeç; aktivistja turko-amerikane, Aysenur Ezgi Eygi, 26 vjeçe; Amer Rabee, 14 vjeç; Saif Musallet, 20 vjeç; Khamis Ayyad, 40 vjeç dhe Nasrallah Abu Siyam, 19 vjeç.

Sipas Van Hollenit, në janar të vitit 2022, ushtarët izraelitë ndaluan Omar Assadin në një pikë kontrolli, e nxorën me forcë nga makina, ia lidhën duart pas shpine, ia mbyllën gojën dhe ia mbuluan sytë, përpara se ta linin të shtrirë në tokë jashtë. “Ai vdiq nga një atak në zemër, i shkaktuar nga stresi”, theksoi senatori.

Gazetarja Shireen Abu Akleh u qëllua për vdekje në kokë nga forcat izraelite të sigurisë, pranë kampit të refugjatëve në Xhenin, në maj të vitit 2022. “Kur u vra, ajo mbante veshur një jelek blu të ndezur, që e identifikonte qartë si gazetare”, sqaroi Van Holleni.

“Aktivistja Aysenur Ezgi Eygi, e rritur në Siatëll, u qëllua në kokë nga një ushtar izraelit, nga një distancë prej rreth 200 metrash, në shtator të vitit 2024; kurse Amer Rabee u qëllua 11 herë me dy armë të ndryshme”, shtoi ai.

Van Holleni iu referua edhe ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i cili e kishte cilësuar vrasjen e Saif Musalletit si “një akt kriminal dhe terrorist”.

“Ai gjithashtu tha se duhet të ketë llogaridhënie për këtë vrasje. Atëherë pse askush nuk është vënë para përgjegjësisë?”, pyeti senatori.

Pas paraqitjes së secilit rast, Van Holleni theksoi se askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto vrasje.

“Nëntë shtetas amerikanë të vrarë. Asnjë përgjegjës përpara drejtësisë”, përfundoi ai.

Muajin e kaluar, Senati amerikan votoi me 47 vota kundër dhe 51 pro për të bllokuar një rezolutë të propozuar nga Van Holleni. Ajo do ta detyronte sekretarin e Shtetit që, brenda 30 ditësh, të paraqiste një raport mbi respektimin e të drejtave të njeriut nga Izraeli. Raporti do të përfshinte edhe vrasjet e shtetasve amerikanë nga forcat izraelite ose kolonët që nga janari i vitit 2022, si dhe gjendjen e hetimeve për këto raste.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë