| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, autoritetet arrestojnë një të dyshuar për përfshirje në sulmin e Banjskës
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Merdar, ndërsa me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Kosovë, autoritetet arrestojnë një të dyshuar për përfshirje në sulmin e Banjskës
Kosovë, autoritetet arrestojnë një të dyshuar për përfshirje në sulmin e Banjskës / TRT Balkan
6 orë më parë

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar Stefan Raduloviqin mbi bazën e dyshimit për përfshirje në vepra penale të natyrës së rëndë, përfshirë veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Merdar, ndërsa me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, Raduloviq dyshohet për kryerjen e veprave penale “kryerja e veprës terroriste” si dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Kodin e Procedurës Penale, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e integritetit të hetimeve në zhvillim.

Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili në rrjetet sociale ka shkruar se Stefan Raduloviq i cili ka qenë në kërkim u arrestua lidhur me rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit, i cili, sipas tij, kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.

“Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapen kudo që hasen. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetueshmëri e ligjshmëri”, ka deklaruar Sveçla.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit. 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.

Autoritetet kosovare deri më tani i kanë vënë para drejtësisë vetëm tre nga këta të akuzuar dhe Raduloviq, i cili u arrestua sot, mund të bëhet personi i katërt që gjykohet për Banjskën në drejtësinë kosovare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë