Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), Fondi Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe Grupi i Bankës Botërore paralajmëruan të hënën se çmimet e karburanteve dhe plehrave mund të mbeten të larta për një periudhë të zgjatur, edhe nëse rifillojnë flukset normale të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit, duke përmendur dëmtimet në zinxhirët e furnizimit dhe vonesat në rikthimin e rrjedhave globale të mallrave.
Në një deklaratë të përbashkët, të tre institucionet thanë se ndikimi i luftës në Lindjen e Mesme është “i konsiderueshëm, global dhe shumë asimetrik”, duke prekur në mënyrë disproporcionale importuesit e energjisë, veçanërisht vendet me të ardhura të ulëta.
Ato thanë se kjo goditje ka rritur çmimet e naftës, gazit dhe plehrave, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe humbjet e vendeve të punës, ndërsa disa prodhues në rajon kanë pësuar gjithashtu humbje të mëdha në të ardhurat nga eksportet.
Deklarata theksoi se transporti përmes Ngushticës së Hormuzit ende nuk është normalizuar dhe paralajmëroi se edhe pasi të rifillojnë flukset, do të duhet kohë që furnizimet globale të mallrave kryesore të rikthehen në nivelet para konfliktit.
Sipas deklaratës mungesat e inputeve kritike të shkaktuara nga ndërprerjet e furnizimit mund të përhapen në sektorët e energjisë, ushqimit dhe sektorë të tjerë, ndërsa zhvendosjet e detyruara, punësimi më i dobët dhe rënia e udhëtimeve dhe turizmit mund të kërkojnë gjithashtu kohë për t’u rikthyer.
“Sot ndamë vlerësimet tona më të fundit, përpara publikimit të martën, më 14 prill, të raportit mujor të tregut të naftës të IEA-së dhe të Perspektivës Ekonomike Botërore të IMF-së. Gjithashtu diskutuam situatat e vendeve më të prekura nga kjo goditje, si dhe reagimet e institucioneve tona,” thuhet në deklaratë.
“Ekipet tona po punojnë ngushtë së bashku, përfshirë edhe në nivel vendi, për të shfrytëzuar ekspertizën përkatëse dhe për të ndihmuar vendet përmes këshillave të përshtatura të politikave dhe, në rastin e IMF-ja dhe Bankës Botërore, mbështetjes financiare kur është e nevojshme.”
Institucionet thanë se do të vazhdojnë të koordinojnë mbështetjen për vendet anëtare dhe të monitorojnë pasojat e luftës në tregjet e energjisë dhe ekonominë globale.
“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të vlerësojmë ndikimin e luftës në tregjet e energjisë, ekonominë globale dhe vendet individuale, si dhe të koordinojmë reagimin dhe mbështetjen tonë për vendet anëtare duke bashkëpunuar dhe duke u mbështetur në ekspertizën e organizatave të tjera ndërkombëtare sipas nevojës për të hedhur themelet për një rimëkëmbje të qëndrueshme që sjell stabilitet, rritje dhe vende pune,” shtohet në deklaratë.
















