Këshilli i Ministrave i Bosnjë e Hercegovinës miraton vendimin për legalizimin e kanabisit mjekësor
Magazinoviq tha se vendimi është rezultat i angazhimit afatgjatë, debateve publike dhe dëshmive të qytetarëve të cilëve vaji i kanabisit u ka ndihmuar në trajtim, por që për vite me radhë u ishte mohuar qasja e ligjshme në terapi.
Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Sasha Magazinoviq, ka njoftuar se Këshilli i Ministrave i BeH-së ka miratuar vendimin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, duke e vlerësuar këtë hap si përparim historik pas një beteje shumëvjeçare dhe pengesave të shumta.
Magazinoviq, i cili ishte i pari që e nisi çështjen e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, në rrjetet sociale tha se vendimi është rezultat i angazhimit afatgjatë, debateve publike dhe dëshmive të qytetarëve të cilëve vaji i kanabisit u ka ndihmuar në trajtim, por që për vite me radhë u ishte mohuar qasja e ligjshme në terapi.
"Pas vitesh betejash, pengesash dhe këmbënguljeje, më në fund u miratua vendimi për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ia vlejti", tha Magazinoviq duke shtuar se i rikthehen kujtimet e konferencave të para në Parlament dhe dëshmitë e pacientëve që kërkonin t'u mundësohej një ilaç i ligjshëm.
Sipas tij, miratimi i vendimit nuk do të thotë fundi i procesit, por shtoi se nevojitet punë e mëtejshme në saktësimin dhe zbatimin e zgjidhjeve ligjore dhe nënligjore. "Hapi më i rëndësishëm është bërë, por djalli fshihet në detaje. Beteja nuk ka përfunduar, por tani është shumë më e lehtë", tha Magazinoviq.
Ai falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në iniciativën shumëvjeçare, veçanërisht Irfan Ribiqin, i cili, siç tha, e nxiti të përfshihej në këtë betejë si dhe ministren Dubravka Boshnjak, për të cilën tha se gjeti mënyrën për të tejkaluar pengesat dhe për t'ia propozuar vendimin Këshillit të Ministrave.