Erdoğan: Türkiye dhe Egjipti bashkëpunojnë për paqen në Gaza dhe stabilitetin e Libisë
“Türkiye po punon me Egjiptin mbi nismat për ta bërë të mundur paqen në Gaza dhe do t'i vazhdojë këto përpjekje”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në Kajro me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye dhe Egjipti po punojnë së bashku në përpjekjet për paqe në Gaza, si dhe për stabilitetin në Libinë fqinje.
“Türkiye po punon me Egjiptin mbi nismat për ta bërë të mundur paqen në Gaza dhe do t'i vazhdojë këto përpjekje”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në Kajro me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.
"Objektivi ynë i përbashkët me Egjiptin vazhdon të jetë ruajtja e unitetit dhe integritetit territorial të Libisë për të vendosur stabilitet të qëndrueshëm në vend", shtoi ai.
Duke theksuar se Egjipti tashmë është partneri më i madh tregtar i Türkiyes në Afrikë, Erdoğan tha se Ankaraja synon të rrisë vëllimin tregtar nga 8-9 miliardë dollarë në 15 miliardë dollarë.
“Türkiye dëshiron ta forcojë bashkëpunimin me Egjiptin në fushat e tregtisë dhe transportit detar, lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare", tha ai.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se “Türkiye kundërshton vendimin e Izraelit për të njohur Somalilandin”, duke përmendur nevojën për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë.
Lidhur me situatën në Sudan, fqinjin jugor të Egjiptit, Erdoğan tha se Ankaraja së pari dëshiron një armëpushim në Sudan, pastaj paqe të qëndrueshme në atë vend.
Lidhur me tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Teheranit, Erdoğan tha: “Zgjidhja e problemeve me Iranin, përfshirë dosjen bërthamore, përmes mjeteve diplomatike është "metoda më e përshtatshme”.
Lidhur me Sirinë, presidenti theksoi se Türkiye mbështet transformimin e madh të Sirisë, pasi rajoni do të përfitojë shumë nga integriteti territorial dhe uniteti politik i Sirisë.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se pavarësisht armëpushimit disamujor, tragjedia humanitare në Gaza po vazhdon ende.
Ai vlerësoi përpjekjet e Kajros për ta sjellë ndihmën humanitare të dërguar nga Türkiye në duart e palestinezëve në Gaza.