Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se seanca konstituive për formimin e institucioneve të vendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Haxhiu në një deklarim për media të premten tha se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se ta thërrasë seancën konstituive.
“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që pastaj sapo të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për ta zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që të mos e zgjedhim presidentin dhe të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që të ketë përpjekje maksimale për zgjidhje afatgjatë.
Haxhiu tha se kryeministri në detyrë Kurti ka ftuar partitë politike me qëllim të arritjes së një marrëveshje për koalicion qeverisës, por Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka pezulluar negociatat, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pasur qëndrimin e vet dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës.
“Nuk mund të ketë, si me thënë, detyrime për t’iu përgjigjur këtyre takimeve, por është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për vetë shtetin tonë, që të ketë përpjekje maksimale që ta gjejmë një zgjidhje”, theksoi Haxhiu.
Ajo tha se afati i fundit kushtetues për thirrjen e seancës konstituive është më 7 gusht ndërsa premtoi se javën e ardhshme do të bëhet e qartë data e saktë e mbajtjes së seancës. Haxhiu shtoi se është e rëndësishme që në seancën konstituive të jenë të gjithë deputetët, 120, ashtu siç edhe e thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
LDK-ja së fundmi ndërpreu përkohësisht bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, për shkak se kreu i saj, Lumir Abdixhiku, tha se është jo e duhur që përderisa flitet për shkarkimin e tij nga pozita e kreut të partisë, të negociojë për koalicion qeverisës.






















