Irani përshëndet qëndrimin e Türkiyes për Gazën
Ministri i Jashtëm iranian thotë se çdo luftë në rajon do të rrezikonte të gjitha vendet, teksa e cilësoi Ankaranë si partner kyç në kundërshtimin e ndërhyrjeve të jashtme.
Irani të premten riafirmoi angazhimin e tij për paqen dhe diplomacinë rajonale, duke vlerësuar njëkohësisht qëndrimin e Türkiyes përballë sfidave të vazhdueshme të sigurisë dhe sulmeve izraelite në Gaza.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan, në lstanbul, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se Teherani i kushton rëndësi të madhe partneritetit me Ankaranë, veçanërisht në dritën e zhvillimeve të fundit rajonale.
“Türkiye dhe Irani kanë qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit si në kohë të vështira, ashtu edhe në kohë të lehta”, tha Araghchi.
Ai shtoi se marrëdhëniet dypalëshe bazohen në “vëllazëri dhe miqësi”.
Araghchi falënderoi Presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, qeverinë turke dhe Fidanin për mesazhet e solidaritetit pas asaj që ai i përshkroi si “sulme terroriste” të fundit në Iran, duke thënë se incidentet ishin “qartësisht të drejtuara nga elementë të lidhur me Izraelin”.
Duke iu referuar luftës në Gaza, ai tha se Irani vlerëson përpjekjet e Türkiyes për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të promovuar paqen.
“Ne falënderojmë Presidentin Erdoğan dhe Hakan Fidanin për rolin e tyre aktiv dhe mbështetjen për Palestinën”ö tha ai.
Duke u ndalur te çështjet më të gjera rajonale, Araghchi paralajmëroi kundër ndërhyrjes së huaj.
“Ndërhyrja e paligjshme e aktorëve të jashtëm, veçanërisht komplotet e regjimit izraelit, synojnë destabilizimin e rajonit”, tha ai, duke theksuar se “vendët islame duhet të veprojnë në unitet”.
Ai nënvizoi se siguria rajonale është e pandashme, duke thënë: “Ne kundërshtojmë çdo veprim që mund të destabilizojë paqen dhe sigurinë”.
Duke komentuar programin bërthamor të Iranit, Araghchi përsëriti se ai mbetet paqësor.
“Ne kurrë nuk kemi synuar armë bërthamore”, tha ai, duke shtuar se Irani mbetet i hapur ndaj proceseve të drejta diplomatike.
Sa i përket Sirisë, Irakut dhe Libanit, Araghchi tha se Irani mbështet sovranitetin dhe qeverisjen gjithëpërfshirëse, si dhe bëri thirrje për përfundimin e okupimit në Siri.
Në lidhje me Libanin, ai theksoi rëndësinë e dialogut kombëtar mes të gjitha palëve.
Araghchi shtoi se të dyja palët kanë diskutuar gjithashtu mënyra për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe për të hequr pengesat ekzistuese në tregti.