Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë si të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe të Evropës, transmeton Anadolu.
Ministria Hoxha ka marrë pjesë në konferencën “Ballkani takohet në Trieste”, në Itali, e cila ka mbledhur së bashku politikëbërës, studiues, gazetarë dhe udhëheqës të medias.
"Mesazhi ia vlen të përsëritet: zgjerimi i BE-së nuk është thjesht një projekt politik transformues. Është një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë si të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe të Evropës në tërësi. Është një përpjekje e vërtetë fitimprurëse, që sjell përfitime për të dyja palët. Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj ndaj rrugës së saj evropiane dhe ndaj një rajoni të ankoruar fort brenda familjes evropiane", është shprehur Hoxha.
Kryediplomati shqiptar ka theksuar se në mjedisin gjeopolitik gjithnjë e më kompleks të sotëm, komunikimi strategjik është bërë një komponent integral i politikës së jashtme.
"Dezinformimi, ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i informacionit synojnë të shfrytëzojnë përçarjet, ta gërryejnë besimin në institucionet demokratike dhe ta dobësojnë besimin e publikut në demokraci dhe projektin evropian. Sa më shumë i afrohemi anëtarësimit në BE, aq më shumë bëhemi shënjestër për ata që nuk ndajnë vizionin, vlerat apo ambiciet tona. Pikërisht për këtë arsye gazetaria e besueshme dhe agjencitë e lajmeve të përgjegjshme kanë më shumë rëndësi se kurrë", ka shtuar ai.
Duke shtuar se për Shqipërinë, komunikimi i qartë, i ndershëm dhe i besueshëm rreth zgjedhjes evropiane të vendit është një përparësi strategjike, Hoxha tha se: "Kjo do të thotë të shpjegohen jo vetëm reformat tona, progresi dhe rezultatet tona, por edhe mundësitë, përgjegjësitë dhe përfitimet afatgjata që vijnë me anëtarësimin në BE".
"Ndërtimi i besimit publik në këtë udhëtim është po aq i rëndësishëm sa edhe avancimi i vetë udhëtimit. Dhe në këtë përgjegjësi të përbashkët, secili prej nesh ka një rol për të luajtur: mbrojtjen e së vërtetës, mbështetjen e fakteve dhe rezistencën ndaj atyre që kërkojnë t'i manipulojnë, t'i ndajnë ose t'i shtrembërojnë zgjedhjet tona demokratike dhe të ardhmen tonë evropiane", ka theksuar ministri Hoxha.























