Mbi tre mijë persona vdiqën në aksidente trafiku që nga viti 2000 në rrugët e Kosovës

Gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së Policisë Rajonalet të Prishtinës, Hoxha tha se vitin e fundit në Kosovë është shënuar rritje e rasteve fatale në trafik, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë territorin e Kosovës.

By
Mbi tre mijë persona vdiqën në aksidente trafiku që nga viti 2000 në rrugët e Kosovës / AA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se që nga viti 2000 e deri më sot, si pasojë e aksidenteve në trafik në rrugët e Kosovës, kanë vdekur mbi 3.000 persona.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së Policisë Rajonalet të Prishtinës, Hoxha tha se vitin e fundit në Kosovë është shënuar rritje e rasteve fatale në trafik, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë territorin e Kosovës.

“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur rritje të fataliteteve në trafik. Nga 89 persona të vdekur sa kishim në vitin 2024, numri ka kaluar mbi 100. Që nga viti 2000 e deri më sot, Kosova ka humbur mbi 3.111 jetë njerëzish në trafik. Ky është një numër shumë i madh dhe siguria në trafik do të jetë një nga prioritetet kryesore”, ka thënë Hoxha.

Ai theksoi se Policia e Kosovës nuk mund ta përballojë e vetme këtë sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me komunat, Ministrinë e Infrastrukturës dhe shoqërinë në përgjithësi, veçanërisht në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve.

Ndër disa faktorë të cilët kanë ndikuar në rritjen e problemeve në trafik, sipas Hoxhës, ka qenë edhe fluksi i madh i qytetarëve që kanë qarkulluar gjatë vitit të kaluar.

“Kemi pasur rritje me miliona vizitorë, rreth dy deri në tre milionë persona. Po ashtu, është rritur ndjeshëm numri i veturave të regjistruara dhe i patentë-shoferëve”, tha ai.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, deri në vitin 2011 në Kosovë ishin rreth 400 mijë patentë-shoferë, ndërsa aktualisht ky numër ka arritur në rreth 900 mijë.